Berisha: Investimet e huaja janë trefishuar

09/02/2011 15:35

Kryeministri Sali Berisha ia kushtoi vetëm ekonomisë fjalën e tij në mbledhjen e qeverisë.

Duke cituar disa raporte ndërkombëtare, kryeministri tha se Shqipëria brenda pak viteve është bërë një nga vendet më tërheqëse për investimet e huaja.

Në vitin 2006, nga 141 vende ajo renditej e 80-a, ndërsa në 2009 është ngjitur me 55 vende, duke u renditur në vendin e 25-të. Krahasimi me shifra është gati trefishim i investimeve të huaja.

“Në 2006 investimet e huaja ishin 258 milionë euro, në vitin 2009 mbi 700 milionë euro. Dëshmi e një ekonomie tërësisht të hapur dhe e krijimit të klimës së favorshme për biznesin”, deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha tha se vec të tjerash, në këta tregues kanë ndikuar taksat e ulëta, gjë që thkesohet edhe në një raport të Komisionit Europian, të cilin ai e citoi për të treguar se Shqipëria ishte një nga vendet më pak të prkeura nga kriza ekonomike botërore në vitin 2010.

“Në këtë raport theksohet se në Shqipëri, në tremujorin e tretë 2010 rritja ekonomike ishte 4.9%. Deficitet buxhetore pritet të ulen dhe e vërteta është që janë ulur. Shqipëria mbylli vtin 2010 me deficitin buxhetor ndër më të ulëtit në Europë dhe në botë. Inflacioni, theksohet në këtë raport, është plotësisht i kontrolluar 3.4%, kurse papunësia jo vetëm nuk pati rritje, por ka tendencë për ulje. Shkak kryesor i rritjes ekonomike, thkeson raporti, është zhvillimi industrial”, theksoi Berisha.

Kryeministri Berisha tha se zhvillimi industrial është mekanizmi mbi të cilin qeveria shqiptare synon të bazohet për të arritur objektivin e saj që në vitin 2017 Shqipëria të klasifikohet si vend i zhvilluar.

Për të nxitur këtë zhvillim, qeveria miratoi shpalljen park industrial të 16 hektarëve në Rrashbull, një zonë pranë portit të Durresit.

Top Channel