PS: Qeveria shkaktoi fatkeqësitë

08/02/2011 13:20

Partia Socialiste, përmes deputetit Sajmir Tahiri ka bërë përgjegjës kryeministrin Berisha për dështimin e procesit të Gërdecit.

“Viktimat e Gërdecit ishin viktima të një organizimi korruptiv të Berishës. Sot fajtorët janë në prag të lirimit, ndërsa Berisha, urdhërues dhe protektor i fabrikës së Gërdecit, fshihet pas karrikes së kryeministrit”, ka deklaruar Tahiri.

Sipas tij, njësoj sic po mbron përgjegjësit e tragjedisë së tre vjetëve më parë, kryeministri po i fsheh drejtësisë edhe përgjegjësit e vrasjeve të 21 janarit.

“Më 21 janar u vranë me armë 4 vetë sepse protestuan kundër një pushteti mafioz. Edhe sot fajtorët janë të lirë, sepse fshihen nga Saliu. Në Gërdec ishte ushtria, ndërsa më 21 janar garda, sepse Berisha e përdor për të ruajtur karriken”, ka pohuar Tahiri.

Më tej deputeti socialist i ka bërë thirrje kryeministrit që të tërhiqet nga pushteti i tij i korruptuar dhe t’i dorëzojë drejtësisë përgjegjësit qeveritarë dhe familjarë të dy tragjedive.

“Gërdeci dhe 21 janari lindën për shkak të Berishës dhe bllokut të pistë të korrupsionit. Sot është momenti për t’i bërë thirrje Saliut që të dorëzohet. Shqiptarët sot thërrasin: Berisha, dorëzo familjarët dhe qeveritarët që vranë në Gërdec dhe më 21 janar. Dorëzo Mediun, gardistët dhe personat e tjerë që të kanë kapur peng ty”, ka shtuar Tahiri.

Top Channel