Kush paguan më shumë?

08/02/2011 15:55

Në vitin 2004, kur vendi qeverisej nga e majta, pesha e taksave direkte që paguheshin nga biznesi ishin 25.6 përqind e totalit të të ardhurave që qeveria mblidhte në buxhet.

Në çdo 100 lekë të ardhura, 25.6 lekë ishin detyrime të paguara nga fitimet e biznesit dhe kontributet që ndërmarrjet derdhnin për punonjësit e tyre.

Pjesa tjetër mbi 74 përqind ishin taksa indirekte, të cilat paguhen kryesisht nga individët në formën e tvsh-së së akcizës apo taksave të tjera.

Por që nga ajo kohë, shpërndarja e barrës fiskale është përmbysur.

Në vitin 2006, qeveria e djathtë e sapoardhur në pushtet nisi reformimin e sistemit tatimor, sipas programit të saj.

Masa e para që mori ishte ulja e tatimit mbi fitimin për bizneset.

Reforma u pasua më vonë nga taksa e sheshtë, e cila në thelb lehtësoi barrën e atyre që kanë të ardhura të larta dhe rëndoi pjesën tjetër me të ardhura më të ulëta.

Në 6 vitet e saj në pushtet, qeveria e ka vazhduar reformimin e sistemit të taksave gjithmonë në të njëjtin kah, atë të zhvendosjes së barrës nga ata që kanë të ardhura të larta tek shtresat e tjera me të ardhura më të ulëta.

Si rezultat në fund të vitit 2010 pesha e taksave që paguan biznesi ishte vetëm 16.5 për qind, gati 10 përqind më pak se sa në 2004, ndërsa barra që paguajnë individët u rrit nga 74 në 84 përqind.

Por zëri që konfirmon më qartë filozofinë e politikës fiskale që ka ndjekur qeveria është ai i tatimit mbi fitimin, një taksë që paguhet kryesisht nga korporatat e mëdha, të cilat realizojnë miliona euro fitime.

Në fund të vitit 2004 këto biznese paguanin si tatim mbi fitmin rreth 9 përqind të totalit të të ardhurave që qeveria mblidhte në buxhet, ndërsa sot barra e tyre është ulur në vetëm 5.7 përqind.

Një nga tre arsyet themelore se pse ekziston shteti është ai i rishpërndarjes së të ardhurave, për të luftuar pabarazinë me shtresave të popullsisë, e cila gjithmonë tenton të rritet.

Dhe lufta ndaj pabarazisë është një argument që çdo qeveri e ka për zemër, të paktën formalisht.

Veç paketave sociale, mjeti kryesor që qeveritë kanë në dorë për të rishpënrdarë të ardhurat janë taksat.

Ndonëse në Shqipëri nuk ka të dhëna, mbi ndarjen e pasurisë mes shtresave, përveç akuzave në shumë raste politike se pasuria po përqëndrohet tek një grusht i vogël njërëzish të lidhur me pushtetin, ajo që dëshmohet qartë nga këto të dhëna është se, të paktën politika fiskale nuk po e lufton pabarazinë, përkundrazi po e thellon atë, ku të pasurit po paguajnë gjithmonë e më pak, ndërsa të tjerët po rëndohen.

Top Channel