Komisioni, dëshmon Topalli

08/02/2011 23:00

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ashtu si kryeministri Sali Berisha gjatë këtyre tre javëve ka sulmuar ashpër krerët e institucioneve, Presidentin, Prokuroren e Përgjithshme dhe shefin e SHISH, përvecse liderin e opozitës si organizatorë të asaj që mazhoranca e konsideron “puçi i shtetit të 21 janarit”.

“Ata dhjetra e qindra policë, gardistë, qytetarë të plagosur nuk u panë, nuk u ndjenë vetëm nga një njeri, nga kryetari i shtetit shqiptar, shkëlqesia e tij, zoti Bamir Topi. Kush ja lidhi gjuhën? Duket qartazi një marrëveshje me zotin Rama, ai qeverinë me dhunë, kurse shkëlqesia e tij, mandatin e dytë të Presidentit”, tha zonja Topalli.

Pas presidentit, zonja Topalli aludoi për një lidhje bashkëpunimi edhe mes kreut të opozitës dhe kryeprokurores Ina Rama e cila sipas saj shpesh herë ka shkelur ligjin në emër të kreut të Partisë Socialiste.

“Për zotin Rama ka shumë padi, ka shumë dosje në prokurori, por ato të gjitha i mbyll prokuroria e shtetit njëra pas tjetrës dhe kjo është fakt. Pse përqendrohen hetimet vetëm në disa duar të kontrolluara tërësisht vetëm prej një zonje? Përse kanë frikë? Nga se kanë frikë?”, tha më tej kryetarja e Kuvendit.

Bahri Shaqiri, shef i Shërbimit Informative Shtetëror u akuzua nga kryetarja e Kuvendit si elementi tjetër që mbyll kuadrin e organizatorëve kryesorë të puçit të shtetit.

“Nëse Shërbimi Informativ dhe prokuroria do të kishin treguar apo të kishin zbatuar ligjin që kanë përpara, ato sot do të kishin provat e pakundërshtueshme të krimit. Në analizën time, qendrimi i tyre është i barabartë me refuzimin e tyre për të kryer detyrën”, deklaroi më tej Topalli

Zonja Topalli ka kërkuar vijimin e seancës me dyer të mbyllura për shkak të publikimit të rezervuar të korespondencës mes saj dhe kreut të shtetit, pasi sipas saj ka patur moszbatim të detyrimeve kushtetuese nga presidenti Topi. Një deklaratë që paralajmëron se mazhoranca ndoshta është gati të shtojë akuzat ndaj kreut të shtetit.

Top Channel