INSTAT: Inflacioni 3.3%

08/02/2011 16:15

Instituti i Statistikave botoi versionin zyrtar të rritjes së çmimeve për muajin janar, krahasuar me një vit më parë.

“Ndryshimi vjetor i indeksit të çmimeve të konsumit është 3.3 përqind”, është shprehur Hazbie Bunguri, specialiste e IÇK në INSTAT.

Edhe pse në pamje të parë inflacioni duket i pranueshëm dhe brenda kufijve ligjor, nuk tregon plotësisht të vërtetën. Ka dhe dy shifra të tjera të publikuara po nga INSTAT, të cilët zbulojnë se në treg çmimet kanë filluar të kërcejnë.

“Çmimet e konsumit në muajin janar shënojnë një rritje prej 0.8 përqind krahasuar me muajin e mëparshëm”, deklaroi Bunguri.

Rritja me 0.8 përqind brenda vetëm një muaji është ndër më të lartat. Ajo pason atë të dhjetorit me 2.2 përqind, që ishte rritja rekord e 6 viteve të fundit.

Inflacioni vjetor në janar 3.3 përqind duket i ulët, sepse maskohet, nga inflacioni i janarit të një viti më parë, i cili ishte i lartë në nivelin 4.3 përqind.

Dhe kjo dëshmohet po të llogaritet rritja e çmimeve mbi bazë dy vjeçare.

Sipas të dhënave të INSTAT, krahasuar me janarin e dy viteve më parë, inflacioni është 7.7 përqind, ku ushqimet janë shtrenjtuar me 11.7 përqind, pijet 16.4 përqind dhe transporti 11.5 përqind.

Top Channel