Ekspertiza: Videoja origjinale

08/02/2011 13:50

Ekspertët e Byrosë Federale (FBI) i kanë konfirmuar grupit të prokurorëve që po hetojnë mbi videon-skandal të bisedës Meta-Prifti se videoja është origjinale dhe jo produkt i manipulimit. (UPDATE)

Bazuar mbi një kërkesë të prokurores së përgjithshme për një ekspertizë të videos nga SHBA, përgjigjja amerikane është kthyer ditën e premte, ndërkohë që pesë ditë pas kësaj, autori i videos-përgjim e njëkohësisht edhe bashkëbiseduesi i vetëm në të me ish zëvendëskryeministrin Ilir Meta, u thirr në Prokurori për llogari të hetimeve që për shkak të imunitetit të dy ish zyrtarëve është deleguar në organin qendror të akuzës.

Tashmë që vizitat e ish ministrit të Energjitikës në Prokurori janë kthyer në një ritual, në dalje të saj deputeti garantoi gatishmërinë e tij për të bashkëpunuar me prokurorët.

Në dalje nga prokuria, Prifti ka deklaruar për mediat se ka dhënë për prokurorët përgjigje të reja mbi hetimin që po kryhet.

“Sot erdha në prokurori i thirrur nga prokurorët që hetojnë videon “Meta”. Isha në dispozicion të tyre për të dhënë detajet mbi këtë hetim. Kam sqaruar lidhur me dëshmitë në prokurorinë e Tiranës, janë konfirmuar përgjigjet e mia të mëparshme, por edhe përgjigjet e reja për disa deklarata që i ka bërë vetë Meta”, ka pohuar Prifti.

Sipas tij, prokurorët e cështjes janë të bindur për vërtetësinë e videos dhe një gjë të tillë, ka theksuar ai, e kanë konfirmuar edhe ekspertët.

“Kam bindjen që gjërat po shkojnë në drejtim të zbatimit të ligjit. E kuptova që s’kishte asnjë dyshim tek prokurorët me vërtetësinë e videos. Edhe pse s’mora një verifikim zyrtar, nga ekspertët është vërtetuar se ajo është e pamanipuluar dhe e pamontuar”, ka nënvizuar Prifti.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Prifti ka saktësuar se përgjigjet e tij të reja kishin të bënin me disa deklarata të bëra vullnetarisht nga Meta në prokurori.

“Sot kuptova që zoti Meta është paraqitur vetë para prokurorëve dhe ka dhënë disa përgjigje lidhur me këtë video. Unë kam një marrëveshje me prokurorët dhe sekretet nuk duhet të preken”, ka shtuar Prifti.

Top Channel