Refuzimi i tabulateve, sot përgjigjja e komisionit

07/02/2011 11:35

Komisioni hetimor parlamentar do të japë sot një përgjigje në lidhje me refuzimin që kompanitë telefonike i kanë bërë këtij komisioni për tabulatet telefonike të 31 zyrtarëve të lartë dhe 3 prokurorëve.

Dita e hënë është konsideruar si afati i fundit i lënë në dispozicion të këtyre kompanive për të ‘pasuruar’ arkivin e këtij komisioni hetimor me skedarët telefonikë të Presidentit Bamir Topi, kryeprokurores Ina Rama, Kryeministrit Sali Berisha dhe shumë zyrtarëve të tjerë të lartë.

Është neni 123 i ligjit për komunikimet elektronike shkaku që ka detyruar këto kompani të refuzojnë dhënien e këtyre skedarëve pa lejen e abonentëve të saj.

Gjithsesi, në cilindo version, do të jetë Komisioni Hetimor Parlamentar, i cili do të japë sot një panoramë më të qartë se deri në cilën pikë ka shkuar grumbullimi i skedarëve të tabulateve telefonike të 34 zyrtarëve të lartë, mes të cilëve janë edhe deputetë të Partisë Socialiste.

Do të përcaktohet gjithashtu ditën e sotme edhe zhvillimi i seancës dëgjimore me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, për të cilën ende nuk ka një datë dhe orë saktësisht të specifikuar për t’u paraqitur në komisionin hetimor.

Duke iu referuar axhendës paraprake të këtij komisioni, ‘dëshmia’ e kryeparlamentares, Topalli pritej të dëgjohej të shtunën që kaloi.

Top Channel