PS: Meta, përgjegjësi për vrasjet e demonstruesve

07/02/2011 13:05

Partia Socialiste e ka konsideruar kryetarin e LSI-së, Ilir Meta si përgjegjësin e drejpërdrejtë të vrasjeve të katër shtetasve shqiptarë dhe plagosjen e dhjetra të tjerëve në demonstratën e 21 janarit. (UPDATE)

Nëpërmjet anëtares së PS-së, Megi Ajterysa selia rozë ka kërkuar largimin nga skena politike të ish zëvendëskryeministrit dhe ish ministrit të Ekonomisë.

“Është qesharake të shikosh transformimin e Ilir Metës. Ky ish kampion i anti-Berishizmit është shndërruar tashmë në një mini-Sali, shërbëtor i bindur dhe i zellshëm i regjimit në pushtet. Është e trishtueshme ta mendosh që Ilir Meta mashtroi 80 000 shqiptarë se do të rrëzonte Sali Berishën dhe pastaj si një renegat e shiti besimin e tyre për një copë pushtet. Korrupsioni dhe vjedhja me bllok në dorë ishin çmimi i Ilir Metës i cili sot është shndërruar në shëmbëlltyrën më të qartë të llumit e plehut që sundon mbi shqiptarët. Së fundi Ilir Metës ka filluar t’i gënjejë mendja se korrupsioni dhe vjedhja mund të jenë kali i betejave elektorale të ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim. Ilir Meta bredh lart e poshtë Shqipërisë dhe ka pafytyrësinë t’u bëjë thirrje shqiptarëve të votojnë për të”, wshtw shprehur Ajterysa.

“Po kush shqiptar mund ta votoj sot Ilir Metën? Përse do ta votonte sot ndokush atë strofull korrupsioni e matrapazllëku që është Lëvizja Socialiste për Integrim? Mos vallë për të vjedhur? Mos vallë për të fituar një faqe në bllokun e Ilirit? Në fakt Ilir Meta nuk ka faj. Me atë soj mileti që ka mbetur sot në LSI, padyshim që Ilir Meta nuk mund të ketë platformë tjetër politike veç korrupsionit, vjedhjes e matrapazllëkut. Ilir Meta duhet ta kuptojë se tanimë karriera e tij politike ka mbaruar jo vetëm sepse i madh e i vogël e panë se ç’hajdut me bllok në dorë ishte në të vërtetë kreu i ndjesë pastë Lëvizjes Socialiste për Integrim, por edhe pse Ilir Meta mban përgjegjësi të drejtpërdrejtë për jetët e humbura dhe për të plagosurit e 21 janarit. Ishte videoja e tij e turpshme, ku shqiptarët panë me zë e me figurë korrupsionin e matrapazllëkun e pushtetit të Ilirit e Saliut, që shkaktoi atë zemërim popullor që shpërtheu në të premten e zezë”, deklaroi ajo.

“Prandaj sot Ilir Meta duhet të gjejë kurajën të zhduket nga jeta politike, të dorëzohet tek drejtësia e të vuajë deri në pikën e fundit ndëshkimin që u rezervon ligji, por dhe opinioni publik, hajdutëve me bllok në dorë si puna e tij”, tha Ajtyresa.

Top Channel