Nju Jork, gjendet i vdekur shqiptari

07/02/2011 14:15

Me zbutjen e motit në Nju Jork dhe shkrirjen e dëborës, një trup i pajetë u gjend brenda një makine të parkuar në rrugën 28 të Astorias.

Prej dy ditësh, njerëzit që jetojnë aty, kishin kaluar pranë automjetit të mbuluar nga bora, pa vënë re asgjë të çuditshme.

Në të njëjtën kohë, zhdukja e një të riu shqiptar që prej ditës së mërkurë, kishte vënë në lëvizje miqtë e tij, që shpërndanin fletushka me foton e 31 vjeçarit Argent Dyryzi.

Ata kishin kaluar disa herë pranë makinës ku do të gjendej të premten trupi i emigrantit, pa e kuptuar i njohuri i tyre ndodhej pikërisht aty.

New York Times e përcolli këtë lajm një ditë më parë.

Makina i përkiste njerit prej dy shokëve me të cilët Dyryzi ndante banesën.

Trupi i ngrirë nuk kishte shenja dhune dhe po pritet rezultati i autopsisë për të përcaktuar qartë shkakun e vdekjes se tij.

Paraprakisht, zyrtarët thanë se ajo mund të ketë ardhur si pasojë e helmimit me monoksid karboni.

Top Channel