Vdekja e Nikës rikthen vëmendjen e mediave ndërkombëtare

06/02/2011 00:00

Vdekja e Aleks Nikajt në Turqi ka rikthyer në vëmendjen e mediave të
huaja situatën në Shqipëri pas protestës së 21 janarit, të përfunduar në
gjakderdhje.

Ndërron jetë në spital viktima e katërt e dhunës së fundit të janarit në Shqipëri, shkruan Associated Press. 36 vjecari i qëlluar në kokë, ndenji dy javë në koma dhe para disa ditësh ishte transferuar në një spital ushtarak të Ankarasë.

Përleshjet e protestuesve me policinë në 21 janar bënë viktimën e saj të katërt, thotë Reuters, duke nënvizuar se situata politike në Tiranë vazhdon të mbetet e brishtë, me qeverinë në një linjë të mundshme përplasjeje me opozitën, Presidentin dhe Prokuroren e Përgjithshme.

Tubimet opozitare të së premtes përmenden gjithashtu si të qeta, e të njëjtën gjë thekson dhe AFP, duke nënvizuar se protestat e reja paqësore mbahen në sfondin e një situate tepër të nderë e të tensionuar.

Lajmin e kësaj vdekje tragjike e përcjell edhe shtypi kanadez, i cili shkruan se Nikaj u qëllua përpara zyrave të kryeministrit Berisha.

Top Channel