Parandalimi i ekstremizmit

05/02/2011 17:15

David Cameron kritikoi “multikulturalizmin shtetëror” në reagimin e tij të parë për radikalizimin dhe shkaqet e terrorizmit, që prej kohës së zgjedhjes se tij si kryeministër i Britanisë.

Gjatë fjalimit në konferencën e sigurisë që zhvillohet në Gjermani, ai argumentoi se vendit i duhet një identitet më i fortë kombëtar, për të parandaluar njerëzit që t’i kthehen ekstremizmit.

“Le t’i gjykojmë këto organizata. A besojnë ato në të drejtat universale të njeriut, përfshirë atë të grave dhe njerëzve të besimeve të tjera. A i besojnë ata barazisë për të gjithë përpara ligjit. A besojnë ata në demokraci dhe në të drejtën e njerëzve për të zgjidhur qeverinë e tyre? A inkurajojnë ata integrimin apo separatizmin? Këto janë pyetjet që duhet të bëjmë. Nëse dështon ky test, mundësia është të mos angazhohemi me të tilla organizata”, është shprehur Cameron.

Ai kërkoi mbikëqyrje më të madhe ndaj disa grupeve islamike që përfitojnë paratë publike dhe bëjnë shumë pak në luftën kundër terrorizmit.

“Këshilli i Myslimanëve”, përmes një reagimi, tha se komuniteti i tij është parë si pjesë e problemit dhe jo si një zgjidhje e tij.

Ndërsa grupi i myslimanëve të rinj, i njohur si “Fondacioni RamadHan”, tha se Cameron s’bëri gjë tjetër me këtë fjalim, veçse ushqeu histerinë dhe paranojën.

Kryeministri britanik u përpoq të bëjë një ndarje të qartë mes fesë myslimane dhe ekstremizmit islamik si “një ideologji politike”, siç e quajti ai, “që tërheq njerëzit që nuk i gjejnë rrënjët në vendet ku ndodhen”.

Qeveria britanike po rishikon politikën e parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm, një pjesë shumë e rëndësishme në strategjinë e saj anti-terrorizmit.

Në konferencën e 47-të të Sigurisë në Mynih të Gjermanisë është i pranishëm, sekretari i përgjithshem i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Mun, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, shefja e politikës së Jashtme të BE-së, Kethrin Eshton dhe personalitete të tjerë.

Top Channel