Kriza politike godet euron

05/02/2011 16:20

Tregu i këmbimit valutor u përball një ditë më parë me një goditje paniku e cila e zhvlerësoi lekun fort, brenda pak minutash.

Të premten pas mesditës, bankat dhe agjencitë e këmbimit valuator kanë rritur çmimin e blerje së euros deri në 140 lekë, një nivel i cili nuk ishte shënuar ndonjëherë më parë.

Si rrallëherë, kursi zyrtar i Bankës së Shqipërisë ka shfaqur një zhvlerësim të lekut kundrejt të gjitha monedhave të huaja, jo vetëm atyre kryesore, por edhe monedhave të tjera më pak të rëndësishme.

Bankierët thonë se ishte një situatë e shkaktuar nga tkurrja e ofertës në treg.

Sipas tyre, ata që kanë euro nuk po i shesin në pritje të një situate më të qetë.

Burime nga Banka e Shqipërisë thonë se ajo që po ndodh në treg është një situatë nervoziteti e përkohëshme e lidhur ngushtë me situatën jo të qetë, pas trazirave të 21 janarit, por edhe thellimit të krizës politike në vend.

Që pas ngjarjes së 21 janarit, leku është zhvlerësuar në mënyrë të vazhdueshme ndaj euros dhe përgjatë kësaj kohe monedha europiane është shtrenjtuar me gati 2 lekë.

Për herë të parë këtë fundjavë, kursi i këmbimit euro-lek kapërceu edhe nivelin psikologjik 140 dhe në disa banka dhe agjenci valutore, euro është kuotuar në shitje edhe mbi 141 lekë, një situatë që krijoi panik në treg.

Këtë të shtunë kursi ka patur një lehtësim, ndonëse vazhdon të qëndrojë në nivelet më të larta, ku eruro blihet me rreth 139.4 lekë dhe shitet sërish me mbi 140.1 lekë.

Tashmë mbetet për t’u parë nëse është kjo një valë e re e zhvlerësimit të lekut, apo thjesht një situatë e përkohëshme paniku.

Top Channel