BBC: Reforma? Mubarak, u kujtove vonë

05/02/2011 14:25

Presidenti i Egjiptit, Hosni Mubarak, takoi kabinetin qeverisës më parë gjatë ditës, për t’i kërkuar hartimin e menjëhershëm të një plani për reforma të thella në ekonomi.

Pavarësisht asaj që shteti ka për të ofruar, me mijëra persona janë mbledhur për të 12-ën ditë radhazi në rrugët e Kajros për të kërkuar largimin e 82-vjeçarit. Ata as që duan t’i dëgjojnë propozimet. Në një speciale, BBC argumenton:

”Hitleri dhe Mussolini nuk ngritën sisteme ku trenat nuk vonoheshin asnjë minutë, por krijuan kushtet që vetëm një i marrë mund të ankohej për vonesën e tyre.

Por, kur ky iluzion bie, atëherë edhe miti i tyre shembet. Kur Mubarak deklaroi të enjten se do të dilte në televizion, askush nuk rendi për të parë se çfarë do të thoshte.

Pasi egjiptianët panë se ai nuk do të jepte dorëheqjen, shumë prej tyre e fikën fare televizorin. Në fund të fundit, ndihen thjesht të lodhur nga të parit e të njëjtës fytyrë për 30 vjet me radhë.

Nga ana e tij, Mubarak është një njeri që në jetën e tij ka njohur vetëm sukses pas suksesi personal, deri në mbërritjen në atë status kur për 50 vjet, askush nuk i ka thënë më jo, qoftë edhe në telefon.

E në këto kushte, një njeri, edhe i pajisur me qëllime të mira, e ka të lehtë të bjerë pre e iluzioneve të tij jo të vërteta. Për Mubarak, Egjipti mund të ketë qenë ende një vend që po vazhdonte lulëzimin e viteve 1980.

E vërteta për atë që po përjeton presidenti mund të kuptohet kur ai thotë se dëshiron të ikë, por nuk e bën këtë nga frika se mos vendi zhytet në kaos. Këto janë fjalët e një njeriu që sapo është zgjuar nga gjumi dhe sheh shtëpinë në flakë. Atij do t’i duhet pak kohë që të kuptojë se ç’duhet të bëjë”.

Top Channel