Balla: Meta, shëmbëlltyra e kusarisë

05/02/2011 13:35

Deputeti i PS, Taulant Balla ka deklaruar se fushata elektorale e nisur nga kreu i LSI-së Ilir Meta, nuk mund ta fshijë nga memoria e qytetarëve korrupsionin e tij, të denoncuar në videon me ish-ministrin Dritan Prifti.

“Kemi parë këto ditë që Ilir Meta viziton strukturat e ndjesë pastë LSI-së, a thua se Meta është pjesë e normalitetit dhe se korrupsioni mund të jetë platformë elektorale për të marrë votat e shqiptarëve. Meta është sot shëmbëlltyra e korrupsionit, kusarisë dhe hajdutërisë së kësaj qeverie”, ka pohuar

Balla. Sipas tij, korrupsioni ka kapur jo vetëm Metën, por gjithë qeverinë Berisha dhe familjen e këtij të fundit, që pasurohet në kurriz të shqiptarëve.

“Blloku që shfaqet në video ka treguar se pushteti i Berishës, i shartuar me atë të Metës, po vjedh qytetarët e këtij vendi. Në videon e Metës është e qartë se cfarë ndodh në zyrat e shtetit, ku me një kafe pune ministri fiton qindra mijëra euro, shumë më tepër nga sa mund të fitonin me punë të ndershme për vite të tërë ata tre shqiptarë që u vranë në mënyrë kriminale nga dora e Sali Berishës”, ka thënë Balla.

“Berisha dhe i keqpërdoruri Lulzim Basha, tashmë nën akuzë popullore për vrasje, keqpërdorën policinë dhe gardën për të hapur zjarr kundër shqiptarëve të pafajshëm, që protestonin kundër kusarisë, hajdutrisë dhe matrapazllëkut që bëjnë Meta, Berisha dhe familja e tij”, ka vijuar ai.

Deputeti socialist ka shtuar më tej se Meta nuk ka më fytyrë për të dalë para shqiptarëve dhe i ka bërë thirrje drejtësisë që të zbardhë sa më shpejt cështjen e videos së tij.

“Meta është kthyer sot në turpin e mbarë kombit dhe në simbolin e degjenerimit të këtij regjimi që është një regjim i rënë. PS iu bën thirrje organeve të drejtësisë që të bëjnë transparencën e asaj që shqiptarët kanë parë dhe dëgjuar në atë video”, ka shtuar Balla.

Top Channel