Demonstrata e opozitës në Tiranë

04/02/2011 19:40

Me thirrje kundër qeverisë dhe duke kërkuar zgjedhje të parakohshme është zhvilluar e qetë dhe pa incidente protesta e paralajmëruar e opozitës në Tiranë, e cila paraprihej nga lideri i opozitës, Edi Rama. (UPDATE)

Mijëra qytetarë nga Tirana dhe qytete të tjera si Durrësi, Kavaja, Kruja, Fushë Kruja dhe zona të tjera përreth i janë drejtuar qendrës së Tiranës nga pika të ndryshme hyrëse, duke bllokuar rrugët kryesore të saj.

Protestuesit, të cilët janë takuar në qendër, pranë Muzeut Kombëtar, kanë vijuar të gjithë bashkë marshimin përgjatë rrugës së Durrësit, drejt rrethrrotullimit të Zogut të Zi.

Ata kërkonin përvec zgjedhjeve të parakohshme largimin e kryeministri Sali Berisha, vënien para drejtësisë të gjashtë gardistëve, si dhe lejimin e funksionimit të instucioneve të pavaruara.

Menjëherë pas protestës, kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ka dalë në një konferencë për shtyp, ku ka falenderuar qytetarët që protestuan në Tiranë, Vlorë, Korcë e Lezhe, si dhe paralajmëroi vijimin e protestave të premten e ardhshme.

“Kjo është rruga jonë, asgjë s’na zmbraps në përpjekjet për të shpëtuar vendin nga regjimi i kusarisë përmes rezistencës paqësore, që do vazhdojë të premten tjetër në qytete të tjera, ndërsa në Tiranë me tubime në njësitë bashkiake të kryeqytetit. Dhuna s’ka lidhje me ne dhe protesta e sotme tregon se më 21 janar protestuesit u provokuan barbarisht”, ka deklaruar Rama.

Rama ka akuzuar si përgjegjës direkt të dhunës së ushtruar më 21 janar ministrin e Brendshëm Lulzim Basha, duke e akuzuar gjithashtu se nuk lejon policinë të zbatojë vendimin e prokurorisë dhe se po përhap panik tek shqiptarët.

I pyetur për rekomandimet e ndërkombëtarëve në funksion të zgjidhjes së situatës, Rama u shpreh se zgjedhjet e parakohshme janë zgjidhja më racionale.

“Në këtë situatë s’kemi pse presim që miqtë dhe partnerët tanë të na thonë të mbajmë zgjedhje të parakohshme. Ata kanë 20 vjet që asistojnë Shqipërinë, nuk kanë për detyrë të bëjnë opozitën dhe në një proces që po kalon Shqipëria ata po bëjnë më të mirën për të lehtësuar rrugën ku palët duhet të ecin për të kërkuar zgjidhjen”, ka shtuar Rama.

Top Channel