AI: Të mos pengohet prokuroria

04/02/2011 13:00

Pas deklaratës së djeshme në mbrojtje të katër gazetarëve shqiptarë që ishin përfshirë në planet e komisionit hetimor parlamentar për t’i kontrolluar tabulatët, Amnesty International ka publikuar sot një tjetër reagim shqetësues për mos lejimin e prokurorisë në zbatimin e ligjit.

Kjo organizatë ka shprehur shqetësimin për abuzimet verbale të adresuara nga kryeministri Berisha ndaj kryeprokurores së përgjithëshme Ina Rama.

Andrea Huber, zëvendësdrejtore e Amnesty International për Europën, ka shprehur shqetësimin për pengesat që po ndesh prokuroria në marrjen në pyetje të drejtuesve të Gardës së Republikës.

“Amnesty International shpreh shqetësimin për injorimin e kërkesës së zyrës së prokurores së përgjithëshme në zbatimin e urdhër-ndalimit për gjashtë drejtuesit kryesor të Gardës së Republikës, të cilët kërkohen të hetohen për vdekjen e tre personave, të shkaktuar nga përdorimi i armëve të zjarrit gjatë protestave të 21 janarit” thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, Amnesty International vëren se Policia e Shtetit ka injoruar kërkesën e prokurorisë duke ndërhyrë në mos zbatimin normal të ligjit.

Zonja Andrea Huber e mbyll deklaratën e saj duke dënuar sjelljen e kryeministrit Berisha ndaj kryeprokurores Ina Rama.

“Amnesty International shpreh shqetësim të thellë për gjuhën abuzuese të kryeministrit Berisha ndaj prokurores së përgjithëshme, gjë e cila nënvleftëson respektin për ligjin në Shqipëri”, është shprehur ajo.

Top Channel