Topi takohet me Lajçak

03/02/2011 16:20

Presidenca ka bërë publike në faqen e saj të internetit takimin mes presidentit të Republikës Bamir Topi dhe të dërguarin e posaçëm të Bashkimit Evropian në vendin tone, drejtorin ekzekutiv të Shërbimit të Jashtëm, zotin Miroslav Lajçak.

Sipas Presidencës, temë qendrore e bisedimeve në këtë takim ishte situata dhe klima e rënduar politike e krijuar në vendin tonë me fokus ngjarjet e 21 janarit dhe zhvillimet e vëna re më pas.

Presidenti i Republikës shprehu mirënjohjen për vëmendjen dhe mbështetjen e vazhdueshme të Bashkimit Evropian përmes përpjekjeve, apeleve dhe deklaratave të njëpasnjëshme lidhur me zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, duke e quajtur misioionin e zotit Lajçak: “një mision jetik për Shqipërinë”.

Gjatë takimit, zoti Lajçak, edhe në emër të autoriteteve më të larta të Bashkimit Evropian si baronesha Eshton dhe Komisioneri Fyle shprehu shqetësimin e madh për krizën politike në Shqipëri e për dëmtimin e imazhit ndërkombëtar të saj, duke vënë në dukje se kjo situatë, pavarësisht sukseseve të mëdha të arritura si: anëtarësimi në NATO, liberalizimi i vizave dhe përparimi, në rrugëtimin integrues për në familjen evropiane, është vendimtare dhe po pengon procesin e mëtejshëm të anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.

Pasi “vlerësoi Presidentin Topi për rolin konstruktiv në respekt të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi dhe si simbol i unitetit të popullit duke e inkurajuar për vazhdimin e luajtjes së këtij roli në këto momente të vështira e delikate”, zoti Lajçak theksoi nevojën urgjente për qetësi dhe rregull publik si dhe të respektit të Kushtetutës, shtetit të së drejtës dhe pavarësisë së institucioneve që të ushtrojnë detyrat e tyre kushtetuese.

Në këtë pikë, të dy bashkëbiseduesit nënvizuan rëndësinë “e zhvillimit të një hetimi tërësor, profesional, transparent e të paanshëm të ngjarjeve të 21 janarit” që duhet të shoqërohet njëkohësisht edhe me rivendosjen e menjëhershme të dialogut politik institucional si dhe respektimin e institucioneve të pavarura kushtetuese.

Top Channel