Rrihet për vdekje me shkopinj bejsbolli

03/02/2011 14:25

Ilir Peraj, pronar i një taverne dhe president i shoqatës “Nënë Tereza”, i shoqëruar disa herë në polici dhe i proceduar penalisht për vepra penale si kanosje, vjedhje me dhunë dhe përdhunim, tashmë do të procedohet penalisht edhe për vrasje me paramendim.

Deri më sot, ai kishte arritur t’ia hidhte paq drejtësisë, por këtë herë ai akuzohet për vrasjen e Alban Kolecit në ambientet e lokalit të tij, ku janë gjetur edhe dy shkopinj bejsbolli, me të cilët i janë shkaktuar plagët viktimës dhe një shokut të tij.

Alban Koleci, 27-vjeçari nga Kallmeti i Lezhës, kishte shkuar bashkë me shokun e tij Agostin Gjergjaj, 36 vjeç, nga Puka, te taverna “Miki”, pasi njihnin personin që e mbante me qira, shkodranin Ilir Peraj.

Aty kanë qëndruar për orë të tëra, ku kanë konsumuar shumë alkool, ndërkohë që po dëfreheshin, pasi brenda tavernës kishte shumë femra.

Në pije e sipër, mendohet se Koleci dhe Gjergjaj kanë hedhur fjalë te femrat e lokalit, për të cilat policia po heton me çfarë merreshin konkretisht, veprim i cili ka sjellë irritimin e Perajt.

41-vjeçari ka qenë i shoqëruar me dy djemtë e xhaxhait, Elis dhe Elidon Perajn, 27 dhe 23 vjeç.

Mes tyre dhe dy të rinjve ka nisur një debat dhe kushërinjtë Peraj kanë marrë dy shkopinj bejsbolli dhe kanë rrahur për vdekje Kolecin dhe Gjergjajn.

Vetëm pasi ata nuk kanë dhënë shenja jete, ka ndaluar dhuna ndaj tyre. Policia, e njoftuar nga të pranishëm në vendin e ngjarjes, nuk ka vonuar për të shkuar te taverna “Miki”.

Atje ka gjetur të gjakosur dy të rinjtë nga Lezha, duke i nisur për në spital, ndërkohë që ka arrestuar tre personat e familjes Peraj.

Në lokal janë gjetur edhe dy shkopinj bejsbolli, që mendohet se janë armët e krimit. Por nga dy të plagosurit, një nuk ka mbijetuar.

Alban Koleci ka ndërruar jetë, ndërsa Gjergjaj ndodhet në gjendje të rëndë. Për këtë arsye, tre personat janë arrestuar për vrasje me dashje në bashkëpunim dhe vrasje të mbetur në tentativë për të plagosurin tjetër.

Sipas policisë, ky nuk është rasti i parë, kur Ilir Peraj bëhet protagonist i ngjarjeve të rënda.

Disa herë është proceduar penalisht, ku një rast flagrant ka të bëjë me përdhunimin e një vajze, por më vonë, ajo u tërhoq nga denoncimi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA