Në punë që 17 vjeç

03/02/2011 17:50

Një 17 vjeçar, do të ketë mundësi që pasi të përfundojë ciklin e arsimit profesional, të punojë në profesionin e tij.

Vendimi i fundit i qeverisë, mbi ndryshimet në skemën e arsimit profesional, ka përcaktuar që studimet pas arsimit bazë, të jenë dy ose tre vjeçare, në bazë të degës që të rinjtë kërkojnë.

“Një i ri në moshën 16-17 vjeçare mbasi ka mbaruar arsimin e detyruar, plus dy vjet të nivelit të parë të arsimit profesional dhe ka një çertifikatë të nvelit të parë ai është i aftë për në tregun e punës. Nxënësit mund të bëjnë dy vite të shkollës profesionale, një një drejtim të caktuar dhe mund të marrin një çertifikatë profesionale plus deftesën përkatëse të nivelit dy vjeçar. Ky quhet niveli i parë i arsimit dhe formimit profesional dhe me të mund të kalojë direkt në tregun e punës”, është shprehur Dorina Rapti, përgjegjëse e sektorit për arsimin profesional.

Por një tjetër ndryshim do të ketë dhe për të rinjtë që përfundojnë arsimin e mesëm. Ata do të kenë mundësi të ndjekin arsimin postsekondar i cili u jep mundësi të perfeksionohen në një profesion, apo zanat të caktuar.

“Në këtë lloj arsimi mund të futen nxënësit që mbarojnë gjimnazin, ose që mbarojnë shkollën e mesme profesionale të cilët mund të vazhdojnë më një kualifikim të mëtejshëm”, theksoi Rapti.

Specialistët mendojnë se shkollat profesionale, mund të funksionojnë edhe si qendra shumëfunksionale, ku të zhvillohen kurse të ndryshme.

Top Channel