Milo: Situata po shket drejt 1997-s

03/02/2011 21:35

Kryetari i Parisë së Demokracisë Sociale, Paskal Milo, evidentoi rrezikun e shkarjes në një situatë të ngjashme me vitin 1997, duke folur në “Top Story”, në Top Channel.

”Për momentin nuk jemi në vitin 1997, por nëse nuk administrojmë krizën, rreziku që situata të shkasë nga duart është shumë i madh. Nëse kjo ndodh, pasojat mund të jenë të njëjta me ato të vitit 1997”, theksoi Zoti Milo.

Sipas tij, “tendenca është e qartë, por ka nga ata që nuk duan të ndalin këtë tendencë, vetëm për të mbajtur fort pushtetin e tyre. Shqipëria ka nevojë për një frymëmarrje demokratike, që mund të ndodhë vetëm me zgjedhje të parakohshme”.

Në argumentimin e tij, Milo shtoi: “Populli ka dyshime për mënyrën se si kjo qeveri ka ardhur në pushtet. Ai duhet të zgjedhë se cili duhet të drejtojë vendin. Asnjë qeveri demokratike nuk ka përse të ketë frikë nga zgjedhjet.

Drejtuesit e pozitës po e banalizojnë debatin në sulme personale, sepse nuk kanë asnjë argument të fortë. Edhe argumenti se ky ngërç është shkaktuar nga ambicjet e Edi Ramës për të marrë pushtetin, nuk është më i vlefshëm, sepse të gjithë e panë që ky shtet vrau tre qytetarë të pafajshëm në bulevardin kryesor të vendit.

Egoizmi dhe etja për pushtet e një njeriu nuk mund të mbajnë peng të ardhmen e vendit, një vend që duke qenë antar i NATO-s, nuk duhet të sillej kurrë në këtë mënyrë”.

Milo shtroi pyetjen: “Si është më mirë, të mbahen zgjedhje dhe situata të qetësohet apo të ruhet pushteti, me koston e jetës së 3, 30 apo 300 shqiptarëve të tjerë”.

Top Channel