Lajçak: Hetimi, nga institucionet kushtetuese

03/02/2011 19:15

Drejtori ekzekutiv i Shërbimit të Jashtëm të BE-së, Miroslav Lajçak ka deklaruar në daljen për mediat, pas takimeve me liderët politikë në vend, se hetimi i ngjarjeve të 21 janarit duhet të bëhet nga institucionet që parashikon Kushtetuta e vendit.

Ai ka theksuar se duhet që këto hetime të kryhen në mënyrë të tillë që të mos ketë dyshime për vërtetësinë e tyre.

“Duhet të jenë institucionet shtetërore të Shqipërisë që të bëjnë hetimet për ngjarjet e 21 janarit. Hetimi parlamentar mund të plotësojë, por nuk mund të zëvendësojë hetimet që duhen bërë. Ne kemi besim të plotë tek institucionet shqiptare që do të zbulojnë të vërtetën e plotë për 21 janarin”, tha Lajçak.

“Me fjalë të tjera politikanët nuk duhet të shërbejnë si zëvendësues të institucioneve”, theksoi ai.

Gjithashtu diplomati evropian ka deklaruar se partitë politike duhet të përgatiten për zgjedhjet e 8 majit, në mënyrë që të zhvillohen votime të standardeve që kërkon BE-ja.

“Zgjedhjet vendore të 8 majit janë përgjegjësi e partive politike. Ato duhet të jenë gati që të bëhen zgjedhje të standardeve ndërkombëtare. Udhëheqësit tuaj politikë kanë përgjegjësi për ta çuar vendin tuaj drejt afrimit me BE-në”, tha Lajçak.

Gjatë fjalës së tij, ai ka deklaruar se pavarësia e mediave është shumë e rëndësishme dhe gazetarët duhet të kenë lirinë e duhur për të informuar qytetarët.

“E përmendëm edhe situatën e mediave në takimet tona. Duhet që të garantohet pavarësia e mediave dhe që gazetarët të kenë hapësirën e duhur që të bëjnë punën e tyre dhe të informojnë në mënyrë objektive”, theksoi Lajçak.

I pyetur nëse zgjedhjet e parakohshme janë një mundësi për zgjidhjen e krizës në vend, Lajçak ka deklaruar se kjo “është një pyetje për qytetarët dhe parlamentarët tuaj dhe jo për mua”.

Top Channel