Hetimi i gazetarëve, reagon AI

03/02/2011 17:55

Organizata prestigjoze “Amnesty International” i është bashkuar zërave kritik të organizatave të tjera botërore, duke e cilësuar si të padrejtë kërkesën e komisionit hetimor parlamentar për të hetuar tabulatet e telefonave të katër prej gazertarëve më të njohur në Shqipëri.

Andrea Huber, zëvëndësdrejtore e Amnesty International për Europën  në një prononcim dhënë korrespondentit të Top-Channel në Londër, Muhamed Veliu, e konsideron kërkesën drejtuar kompanive të celularëve, për marrjen e tabulateve telefonike të katër gazetarëve, nga komisioni parlamentar që heton ngjarjet e 21 janarit si thyerje e të drejtës dhe lirive të gazetarëve për t’u informuar bazuar në të drejtën e informimit të publikut.

“Konfidencialiteti në mbrojtje të burimeve të informimit të gazetarëve është esenciale për lirinë dhe pavarësinë e medias sikurse është edhe integriteti i gazetarëve disa prej të cilëve u dhunuan nga policia më 21 janar në momentet kur ata po kryenin detyrën në raportimin e protestës anti-qeveritare në Tiranë”, thuhet në vijim të deklaratës.

“Amnesty International” në mënyrë të vendosur kërkon të tërhiqet kërkesa e marrjes së tabulatëve dhe se gazetarët duhet të vazhdojnë detyrën e informimit të publikut pa asnjë ndërhyrje.

“Të drejtat e njeriut kërkojnë që gazetarët kanë të drejtë të mbrojnë burimet – thuhet në deklaratë – dhe vetëm në ato raste kur ka një vendim gjykate të bazuar në vlefshmërinë e informacionit që ka burimi për të mbrojtur interesin e  publikut ose të drejtat private, vetëm atëherë burimet nuk gëzojnë më mbrojtje”.

Amnesty International e përfundon deklaratën duke ngritur shqetësimin rreth ligjshmërisë së komisionit hetimor parlametar duke deklaruar se: “Amnesty International” vëren se për kushtetutshmërinë e këtij komisioni duhet të shprehet Gjykata Kushtetuese dhe se komisioni parlamentar duhet të jetë objektiv për të vërtetuar se institucionet vepruan për të mbrojtur dhe ndëshkuar ativitetet kriminale që kishin qëllim sulmin ndaj institucioneve dhe thyerjes së Kushtetutës më 21 janar.

Top Channel