Zbogar: Kriza, zgjidhje me dialog

02/02/2011 16:40

Në këto kohë të vështira, kur nga Bashkimi Europian nuk mungojnë zërat izolacioniste për Shqipërinë, Sllovenia, ashtu si në rastin e liberalizimit të vizave, po bën përpjekje për përfshirjen sa më intensive të Brukselit për të ndihmuar Shqipërinë të dalë nga kjo situatë.

Për të dëshmuar këtë gatishmëri, ministri i Jashtëm slloven, Samuel Zbogar, në nje vizitë në Tiranë, ku u takua fillimisht me homologun e tij Edmond Haxhinasto, dha mesazhin se Shqipëria ka të gjitha potencialet për të vazhduar në rrugën e saj drejt Bashkimit Europian, duke qendruar larg dhunës dhe duke respektuar insitucionet.

“Kam ardhur në Shqipëri si mik dhe si aleat. Erdha këtu, sepse së fundmi ekzistojnë disa shqetësime brenda Bashkimit Europian për shkak të situatës së krijuar në Shqipëri. Bie dakort me ato cka tha ministri Haxhinasto, se cdokush ka gjithmonë të drejtën për të demonstruar, por nuk ka të drejtë asnjëherë për një demonstrim të dhunshëm. Dhe sigurisht, për dhunën nuk ka kurrë vend në një shoqëri demokratike. Sigurisht që këtu ekzistojnë edhe insitucionet. Shqipëria është një vend i ligjit, ku ka institucione dhe është drejtësia ajo që duhet të hetojë të tilla situata”, deklaroi Zbogar.

Ministri i Jashtëm slloven, i cili është takuar si me kryeministin Sali Berisha, edhe me kryetarin e Partisë Socialiste Edi Rama, beson se dalja nga situata e krijuar mund të gjendet vetëm nëpërmjet dialogut, të cilin ai e serviri si recetën më të mirë për sukses.

“Dhe në fund dua të them se dialogu dhe respekti për njëri-tjetrin është zakonisht receta për suksesin, dhe shpresoj që kjo të funksionojë po aq mirë edhe këtu në Shqipëri”, tha Zbogar.

Top Channel