PS: Basha tentoi të përfshijë edhe diplomatët

02/02/2011 13:40

Partia Socialiste ka akuzuar ministrin e Brendshëm si përgjegjësin për vrasjet e tre personave në demonstratën e 21 janarit, duke theksuar se gjatë fjalës së tij në komisionin hetimor, ka dashur të përfshijë edhe diplomatët në atë ngjarje.

Deputeti socialist, Eduard Shalsi ka theksuar se shqiptarët do të mblidhen të premten, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Korçë dhe Lezhë, për të kërkuar drejtësi.

“Lulëzim Basha nuk mund të thoshte se kush i vrau qytetarët e pafajshëm. Njeriu që nëpërmjet urdhërave të dhëna për Gardën e Republikës, njeriu që njihet nga të gjithë shqiptarët si vrasësi i tre qytetarëve, njeriu që urdhëroi Policinë e Shtetit të përdorte dhunë ndaj demonstruesve të pafajshëm, njeriu përgjegjës për mbrojtjen e paligjshjme që i bën titullarëve të gardës duke krijuar preçedentë të rrezikshëm për pavarësinë e intitucioneve, ky njeri ka tentuar të përfshijë edhe diplomatë të huaj se i paskan sugjeruar që të përdornin edhe ushtrinë për të shtypur demonstruesit. Kjo tregon panikun ku është zhytur kjo qeveri dhe panikun që ka kapur titullarët e saj. Shqiptarët e kanë të qartë se kjo bandë u vodhi votën fillimisht, pasurinë më vonë dhe më së fundi për t’i vrarë”, është shprehur Shalsi.

“Shqiptarët duan të dinë të vërtetën e 21 janarit. Ata kërkojnë të shohin para drejtësisë përgjegjësit kryesorë që morrën tre jetë të pafajshme. Prandaj në 4 shkurt jo vetëm në Tiranë, por edhe në Vlorë, Korçë dhe Lezhë, do të ketë lëvizje për të kërkuar që të dorëzohen gjashtë ushtarakët e gardës, që policia të mos jetë një vegël, për të kërkuar një zgjidhje të re të një Shqipërie evropiane”, theksoi Shalsi.

Top Channel