Tre skenarët e mundshëm për Egjiptin

01/02/2011 21:20

Për egjiptianët dhe miliona arabët që ndjekin me vëmendje çfarë ndodh në Afrikën Veriore, këto janë kohë vendimtare. Pavarësisht shpresës për ndryshim, përpara shihen rreziqe të mëdha. Për BBC-në janë tre skenaret e mundshëm.

1. Në shumicën e pankartave, fjala që të bie në sy është “irhal”, që do të thotë “ik”. Që ky skenar të realizohet, ushtria duhet të luajë një rol vendimtar.

Presidenti është shkaktari i paqëndrueshmërisë në vend, por ai duhet të detyrohet të largohet, sepse është i vendosur që të vazhdojë të ruajë pushtetin e tij.

Një zhdukje kaq e shpejtë e Mubarak-ut nga skena politike e Egjiptit, do të thotë katastrofë për disa qeveri perendimore dhe Izraelin në veçanti.

Frika më e madhe është se vakumi institucional do të sillte kaos, nga i cili mund të përfitonin grupet islamike dhe ushtria në këtë kushte do të drejtonte shtetin.

2. Skenari i dytë lidhet me qëndrimin e mundshëm të Mubarakut. Deri tani, megjithëse shumë njerëz kanë humbur jetën në përleshje, shteti nuk u ka lëshuar pe.

Mubaraku  mund të nxjerrë një urdhër për të shpërndarë demonstratën. Për këtë, ai nuk ka nevojë për ushtrinë, sepse forcat speciale dhe ato policore do t’i mjaftonin. Përmes një deklarate, ushtria bëri të qartë se nuk do të përdorë dhunë kundër protestuesve.  

Ushtarakët e dinë se nëse do të vendoseshin në krah të presidentit Mubarak dhe kundër vullnetit të njerëzve, do të humbnin legjitimitetin dhe pozicionin e privilegjuar në shoqërinë egjiptiane.

Dobësimi i sigurisë, nga ana tjetër dëmton ekonominë e vendit, turistët do të qëndronin larg tij për një kohë të gjatë. Ky skenar nuk i intereson as ndërkombëtareve, pasi çmimi i naftes ka nisur të rritet si rrjedhojë e krizës egjiptiane.

3. Skenari i tretë është formimi i një qeverie të pajtimit kombëtar dhe largimi gradual i Mubarak-ut. Ndoshta, këtë kupton dhe Uashingtoni kur flet për një tranzicion të qetë.  

Në këtë skenar, Mohamed El Baradei mund të shfaqet si një figurë kompromisi për të mbikqyrur tranzicionin dhe për të vendosur rregullat e reja për zgjedhjet, presidentin dhe parlamentin.

Në zgjedhje të lira dhe të ndershme, “Vëllazëria Myslimane” pritet të fitojë një pjesë të madhe votash. Përkrahet dhe respektohet brenda Egjiptit, kryesisht për veprimtaritë bamirëse.

Megjithatë, nuk është provuar në qeverisje dhe rreziku islamik shqetëson veçanërisht perëndimin. Pikëpyetja është: Si mund të pajtojë “Vëllazëria Myslimane” qëllimin për të krijuar një shtet bazuar mbi ligjin islamik me parimet demokratike.

Pyetjet që shtrohen janë të natyrshme. A nuk përjashtohen këto dy koncepte reciprokisht? A mundet të udhëheqë një organizate konservatore një shoqeri, ku bëjnë pjesë edhe 10 milione të krishterë? Si do t’i menaxhonte ajo marrëdhëniet e Egjiptit me SHBA-në dhe Izraelin?

Top Channel