Topi: Situata aktuale, e patolerueshme

01/02/2011 14:55

Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka përsëritur apelin e tij për rivendosjen sa më shpejt të dialogut politik.

Në një takim me përfaqësues të Forumit për Demokraci dhe Etikë, Topi ka deklaruar se ëndrra evropiane e shqiptarëve nuk duhet të mbetet peng e konflikteve politike.

“Për të realizuar ëndrrën e tyre euroatlantike qytetarët shqiptarë janë në pritje të ankthshme të rivendosjes së dialogut politik institucional mes forcave kryesore politike në vend. Kjo gjendje është e patolerueshme”, ka deklaruar Topi.

Kreu i shtetit ka përsëritur qëndrimin e tij se parimet demokratike janë të shenjta për një demokraci funksionale, ku të gjithë janë të barabartë përpara ligjit.

Nga ana e tyre, përfaqësuesit e Forumit kanë vlerësuar qëndrimin e presidentit ndaj situatës së rënduar politike në vend, që ka tërhequr vëmendjen e gjithë botës.

Top Channel