PS: Berisha të dorëzojë gardistët

01/02/2011 12:05

Partia Socialiste i ka bërë sërish thirrje kryeministrit Sali Berisha që të dorëzojë gjashtë oficerët e Gardës së Republikës, për të cilët janë lëshuar urdhër-arreste nga Prokuroria e Përgjithshme.

Në një konferencë për shtyp, deputetja Ermonela Felaj ka deklaruar se dorëzimin e oficerëve nuk e kërkon opozita, por ligji.

“U vranë shqiptarë të paarmatosur për faktin se protestuan kundër Sali Berishës. Berisha duhet të dorëzojë 6 gardistët. Cdo përpjekje e tij për t’i fshehur është e kotë. Policia duhet të ekzekutojë urdhër-arrestet, jo sepse e kërkon opozita apo shqiptarët, por sepse këtë e kërkon ligji”, ka pohuar Felaj.

Ashtu si dhe ditë më parë, deputetja ka paralajmëruar drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit se, nëse nuk zbatojnë urdhër-arrestet e prokurorisë do të përballen me pasoja penale.

“U kujtojmë drejtuesve të Policisë së Shtetit se përgjegjësia për këtë do të mbetet e tyre dhe ata duhet të kenë parasysh pasojat e rënda penale. Urdhërat politikë të Berishës nuk do t’i shpëtojë ata nga përballja me ligjin. Herët a vonë ata do të përballen me të”, ka theksuar Felaj.

Top Channel