Sigurime shëndetësore edhe tek privati

31/01/2011 16:50

Qytetarët e siguruar në skemën e sigurimeve shëndetësore do të kenë të drejtën që të kurohen falas edhe në spitalet private, me kushtin që fatura të mos e kalojë koston me të cilën të njëjtat shërbime ofrohen në spitalet publike.

Nëse pagesa e shërbimeve në spitalet private do të jetë më e lartë se ajo në publik, atëherë diferenca do të paguhet nga vetë qytetarët.

Komisioni i ekonomisë miratoi një draft të propozuar nga Ministria e Shëndetësisë, i cili përfshin për herë të parë në skemën e sigurimeve shëndetësore edhe privatët, duke hequr monopolin e këtij shërbimi nga spitalet publike.

Ligji i ri pritet të sjellë ndryshime të mëdha në skemën e sigurimeve shëndetësore. Instituti i Sigurimeve Shëndetësore shndërrohet sipas këtij ligji në një fond, i cili do të administrojë kontributet e derdhura nga qytetarët dhe do të miratojë paketat e shërbimeve shëndetësore që mbulohen nga kontributet.

Qeveria ende nuk e ka përcaktuar se deri në cilin kufi shpenzimet për kurim do të mbulohen nga kontributet, por burime bëjnë të ditur se për këtë do të ketë një ligj të dytë. Ekspertët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se hyrja në fuqi plotësisht e ligjit do të kërkojë dy vjet.

Top Channel