Opozita: Puç brenda shtetit

30/01/2011 15:40

Drejtuesit e opozitës shqiptare kanë vendosur të vazhdojnë protestat për largimin e qeverisë, jo vetëm në Tirane, por edhe në 12 qendrat e prefekturave të vendit.(UPDATE)

Duke e konsideruar shumë të rëndë situatën e krijuar në vend kreu i opozitës Edi Rama e cilësoi të paligjshëm komisionin parlamenbtar për ngajrjet e 21 janarit dhe kërkesën e tij për marrjen e tabulateve telefonike të drejtuesve kryesorë të institucioneve të tjera dhe drejtuesve të opozitës, një plan makabër të kryeministrit Berisha për realizimin e një grushti shteti brenda shtetit.

Në këtë situatë, zoti Rama bëri një apel për faktorin ndërkombëtar.

“Apeli ynë ndaj botës demokratike, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, sot është: dhuna ndaj institucioneve përmes barbarisë anti-kushtetuese të një qeverie të dalë tërësisht nga korniza e ligjit dhe të një kryeministri të dalë tërësisht nga binarët e arsyes, po kërcënon shëmbjen e plotë të një shteti të dobësuar sistematikisht përmes goditjeve të përsëritura ndaj pavarësisë së institucioneve kushtetuese tash e kohë më parë. Miq të dashur dhe partnerë të respektuar ndërkombëtarë të Shqipërisë mos lejoni që në Shqipëri të vijojnë të ndodhin këto që po ndodhin dita-ditës në kurriz të idesë së shtetit ligjor e të popullit shqiptar që kurrë nuk do ta pranojë rikthimin në kohën e errët në partinë-shtet e të shtetit-parti”, tha Rama.

Në këtë apel, kreu i opozitës mbështetet edhe nga aleatët e tij kryesorë, të cilët kanë mesazhet e tyre që nga ndërhyrja  komunitetit ndërkombëtar, deri tek ajo që e cilësojnë paligjshmëri të Komisionit Hetimor për të kërkuar trafikun e telefonatave të krerëve të institucioneve dhe drejtuesve të opozitës dhe tek zgjidhja që opozita propozon.

Vetë kreu i opozitës bën një parashikim të zymtë për situatën e pritshme, nëse sipas tij për Shqipërinë zgjidhet skenari i mbajtjes në këmbë të një qeverie të korruptuar për hir të asaj që zoti Rama e cilësoi si stabilitet të përkohshëm.

“Çdo ditë që kalon, e bën më të vështirë ekuilibrin që e domosdoshëm që garanton stabilitetin e vendit. Ne, opozita shqiptare, jemi gati për dialog e kompromis në interes të Shqipërisë e të shqiptarëve, por kurrë nuk do të pranojmë status quo e regjimit të kusarisë si stabilitet dhe as do të falim liritë thelbësore të këtij populli, për një siguri të përkohëshme që vetëm do ta rëndojë faturën e nesërme të kësaj krize të jashtëzakonshme”, shtoi Rama.

Për kreun e opozitës kjo situatë ka vetëm një zgjdhje:

“Ne duam zgjidhje dhe do ta gjejmë atë duke larguar qeverinë, jo duke plagosur Shqipërinë”, u shpreh lideri i opozitës.

Top Channel