Kërcënimi ndaj Ramës, PS: jo për zhdëmtim makine

30/01/2011 20:25

Partia Socialiste e ka cilësuar si të turpshme deklaratën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Hysni Burgaj lidhur me 3 arrestimet për kërcënimin e Edi Ramës.

Anëtarja e Asamblesë së PS, Megi Ajtyresa në një konferencë për mediat tha se kërcënimi ndaj zotit Rama nuk është bërë për zhdëmtim makine.

“E turpshme dhe qartësisht kuptimplotë deklarata e Drejtori të Përgjithshëm të Policisë, i cili foli për një sms për zhdëmtim makine duke treguar se në fakt nuk i shërben shtetit, por pushtetit. E vërteta është krejt ndryshe, drejtori duhet ta dijë mirë. Shqiptarët kanë dëgjuar të ashtuquajturin kryeministër të kërcënojë me jetë kryetarin e opozitës i cili nuk ka bërë dhe nuk e ka ndërmend të bëjë asnjë denoncim për kërcënimet që i janë bërë atij vetë dhe familjes së tij, jo me sms për zhdëmtim makine, por më shumë: paralajmërim për jetën e tij”, tha anëtarja e Asamblesë së PS, Megi Ajtyresa.

Top Channel