PS: Provokimet e Berishës dështuan

29/01/2011 13:30

Partia Socialiste ka falenderuar sot qytetarët shqiptarë për maturinë e treguar në demonstratën-homazh të ditës së djeshme, pavarësisht provokimeve të kryeministrit.

Në një deklaratë për mediat, deputetja Eglantina Gjermeni ka deklaruar se shqiptarët i dhanë një mesazh qytetërimi Evropës perëndimore.

“Falenderoj qytetarët nga të katër anët e vendit që u bashkuan dje në homazhet për tre viktimat që u vranë nga dora e Berishës. Ky homazh përbën mesazhin më të mirë që shqiptarët mund t’i përcjellin një bote të shqetësuar për situatën në vendin tonë. Një botë e tërë pa dje se pavarësisht provokimeve, kërcënimeve dhe sforcimeve të Sali Berishës, shqiptarët treguan se protesta e tyre paqësore e dinjitoze nuk ka për t’u ndalur”, ka deklaruar Gjermeni.

Në emër të PS, deputetja i ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që të hetojnë me këmbëngulje ngjarjet e 21 janarit, duke u garantuar atyre mbështetjen e opozitës.

“Homazhi i djeshëm ishte edhe një thirrje që drejtësia në Shqipëri të bëjë punën e saj, e sigurtë se ka mbështetjen e cdo qytetari, për të nxjerrë para ligjit ata që vranë dhe plagosën shqiptarët”, ka pohuar Gjermeni.

Ajo ka shtuar më tej se PS dhe gjithë opozita e bashkuar do vazhdojë të protestojë në mënyrë paqësore për të larguar qeverinë, e cila sipas saj mbrohet nga ushtria dhe mbështetet nga një minorancë e shqiptarëve.

“Demonstrata ishte mbi të gjitha një mesazh i qartë i qindra mijëra shqiptarëve ndaj një regjimi të ngujuar me ushtarë, që përfaqëson vetëm një minorancë. Berisha ka përballë një popull evropian që nuk do rreshtë së protestuari për ato parime që shkelen përditë nga ky pushtet”, ka shtuar Gjermeni.

Të njëjtën gjë ka konfirmuar pak minuta më vonë edhe zëdhënësja e PS, Megi Ajtyresa, në një deklaratë të shkurtër për mediat.

“Më 28 qershor u vodhën votat. Shqipëria vidhet përditë nga Sali Berisha. Hajnat që vrasin është pushteti. Përballë këtij pushteti do të jetë gjithmonë populli”, ka thënë Ajtyresa. 

Top Channel