Patozi: Rama pranoi përgjegjësinë

29/01/2011 14:25

Kryetari i grupit parlamentar të PD, Astrit Patozi ka deklaruar sot se manifestimi paqësor i ditës së djeshme nga PD tregon përgjegjësinë e kreut të saj për ngjarjet e 21 janarit.

Në një deklaratë për shtyp, Patozi ka akuzuar liderin e opozitës se më 21 janar organizoi një grusht shteti duke dërguar në kryeqytet kontigjente kriminale të armatosura.

“Cdo ditë që kalon e bën më të qartë përgjegjësinë e Edi Ramës për dhunën para selisë së qeverisë. Rama, me synimin e tij për t’u bërë kryeministër, mblodhi grupe kriminale në Tiranë. Ai i coi njerëzit atje me pistoleta, thika dhe bomba molotov”, ka deklaruar Patozi.

Sipas Patozit, me tentativën e tij për të marrë pushtetin me dhunë, Rama i ka shkaktuar dëme të pariparueshme imazhit të Shqipërisë.

“Rama është përgjegjës për dëmtimin rëndë të imazhit të një vendi anëtar të NATO-s. Me manifestimin e djeshëm, kryeorganizatori i pucit nuk bëri gjë tjetër vecse mori përsipër përgjegjësinë për 21 janarin”, ka pohuar Patozi.

Por, ka theksuar ai, komisioni i posacëm parlamentar që po heton ngjarjen e së premtes së javës së kaluar do të zbardhë të vërtetën dhe do t’u japë organizatorëve të pucit goditjen e merituar.

“Mazhoranca legjitime do të zbardhë gjithcka. Përgjigjia institucionale ndaj kryeorganizatorit do të jetë fatale për të. Kjo mazhorancë ka për detyrë të caktivizojë synimet për marrjen e pushtetit me dhunë”, ka theksuar Patozi, i cili ka sulmuar edhe institucionet.

“SHISH nuk kishte asnjë të dhënë për pucin, ndërkohë që për të flisnin edhe pastrueset e rrugëve. Ndërkohë, vetëm pak orë pasi puci dështoi, prokuroria iu turr gardës dhe jo organizatorëve të tij, për të vajtur më pas tek prishja e marrëveshjes, duke vendosur të arrestonte gardistët, të cilët duhet vetëm të merreshin në pyetje. Ne kemi inkurajuar cdo hetim, por më e rëndësishme është që të zbërthehen elementët e organizimit të grushtit të shtetit”, ka nënvizuar Patozi, duke shtuar më tej se nuk ka qenë mazhoranca ajo që ka shmangur dialogun me opozitën.

Top Channel