LSI: Roli i Topit, no comment

29/01/2011 13:55

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim deklarata e djeshme e kreut të PS, se me këtë qeveri është e pamundur mbajtja e zgjedhjeve të lira, nuk është risi.

Në një deklaratë për mediat, sekretari i përgjithshëm i LSI, Luan Rama ka deklaruar se prej kohësh PS ka zgjedhur rrugën e bojkotit.

“Nuk është e papritur dhe befasi ajo që paralajmëron kreu i PS për të mos marrë pjesë në zgjedhjet lokale. Ky është problemi i tyre, por deri më sot ata kanë treguar se kanë zgjedhur rrugën e përjashtimit nga institucionet”, ka pohuar Rama.

Ndërsa duke komentuar demonstratën e djeshme të opozitës, ai është shprehur se zhvillimi i saj në qetësi konfirmon përgjegjësinë e Edi Ramës për 21 janarin.

“Nëse Rama më 21 janar do të kishte vepruar me përgjegjësi, nuk do të kishte nevojë për protestën e djeshme dhe tre viktimat do të ishin sërish mes nesh”, ka shtuar Luan Rama.

I pyetur nga mediat për rolin e presidentit dhe akuzat e bëra ndaj tij nga kryeministri Berisha, përfaqësuesi i LSI ka zgjedhur të tërhiqet.

“Në të tilla momente kreu i shtetit duhet të shfaqet në rolin e liderit politik, por sesa e ka bërë zoti Topi këtë gjë, unë nuk kam ndonjë qejf ta komentoj”, është shprehur Rama.

Top Channel