Ligj të posaçëm për biznesin vendas

29/01/2011 08:20

Pasi qeveria nuk mori në konsideratë asnjë nga kërkesat e biznesit vendas, kur miratoi ligjin “Për investimet e huaja”, duket se do të jenë vetë subjektet shqiptare që do të ndërmarrin iniciativën për t’i mbrojtur planet e tyre të investimeve.

Bëhet fjalë për një lëvizje të fundit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, për krijimin e një drafti që synon mbrojtjen e investimeve vendase dhe nxitjen e aktivitetit privat në ata sektorë që kanë humbur interesin e sipërmarrjes.

Veprimet e Dhomës vijnë si reagim pas miratimit të ligjit “Për investimet e huaja”, në shtator të vitit të kaluar nga Kuvendi dhe ku synohen të mbrohen nga shteti bizneset e huaja dhe planet e tyre për të investuar në shumën mbi 10 milionë euro.

Biznesi vendas, në kohën kur po diskutohej ligji për të huajt, kërkoi nga qeveria që të përfshihej në skemën e mbrojtjes nga shteti, sikurse po ndodhte me subjektet e huaja, por sugjerimet e tyre nuk u morën në konsideratë.

Si reagim dhe për të krijuar një ekuilibër, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, bashkë me grupet e ndryshme të interesit, me ndihëm e akademikëve dhe ekspertëve të fushës, ka nisur me kohë përgatitjen e draftit, që nuk synon vetëm mbrojtjen e investimeve vendase, por edhe nxitjen e tyre.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, Qarku i Tiranës, është përfshirë nga zgjidhjet për organet drejtuese, që pritet të zhvillohen më 4 shkurt, datë në të cilën pritet të publikohet drafti, i cili zgjeron hartën e sektorëve që duhen mbrojtur nga shteti dhe jo vetëm, por për disa aktivitete duhen bërë përjashtime nga pagesa e taksave.

Top Channel