Komisioni çliron Gardën: Nuk ka faj

29/01/2011 15:25

Asnjëherë më parë Garda e Republikës nuk ka qenë kaq e hapur për kamerat e televizioneve sa në këtë periudhë.

Pas vizitës së mediatizuar të kryeministrit, komisioni hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit organizoi vizitën e parë faktmbledhëse në Gardë, në prani të kamerave.

Shefi i Shtabit të Gardës, major Artan Hoxha shpjegoi mes të pranishmëve rolin që përcakton ligji për Gardën.

Ndonëse nuk iu referua shprehimisht 21 janarit, majori shpjegoi se si veprohet në rast përshkallëzimi të situatës në objektin e rëndësisë së veçantë:

“Drejtuesit e shërbimit krahas masave që kanë marrë i bëjnë thirrje turmës me altoparlant, më pas qëllohet në ajër, pastaj zbatohen kërkesat e nenit 25 të ligjit për Gardën”, deklaroi Hoxha.

Në vijim, takimi u zhvillua edhe për pak minuta pa praninë e mediave. Në përfundim, komisioni hetimor bëri këtë deklaratë:

“Nga ky takim me efektivet e gardës konstatuam se garda ka përmbushur, vazhdon të përmbush dhe do të përmbushë të gjitha ligjet e vendit për ruajtjen e institucioneve”, është shprehur deputeti Dashnor Sula.

Nuk përjashtohet që përveç dokumentave shkresore, komisioni të kërkojë dëshmitë e pjestarëve të gardës kësaj here në selinë e Kuvendit. Kurse vizita tjetër faktmbledhëse e komisionit do të jetë në drejtorinë e policisë.

Top Channel