Homazhi në sytë e medias së huaj

29/01/2011 15:40

“Opozita shqiptare nderoi qetësisht protestuesit e vrarë në 21 janar”, tha agjencia e lajmeve “Reuters”, një ditë më parë dhe në të njëjtën linjë kanë qenë shumica e mediave të tjera që komentuan zhvillimet e fundit në Shqipëri.

Theksi vendoset tek fakti që marshimi-homazh nuk përligji as frikën e as paralajmërimet për dhunë të lëshuara në vigjiljen e tij.

“Asnjë incident, vetëm lule e lot për viktimat dhe një heshtje gati surreale”, shkruan shtypi italian, ndërsa citon fjalët e kryetarit të opozitës Rama, duke sintetizuar fjalimin e tij në një frazë të vetme kyçe: “Nuk e pranojmë frikën”.

Njerëz të mbërritur nga i gjithë vendi marshuan me në sfond tingujt e Rekujemit të Moxartit, për atë që përshkruhet si “një lloj funerali kolektiv në qiell të hapur, një kortezh që lëvizte pa zë drejt selisë së Kryeministrisë, përpara të cilës u vranë tre protestuesit javën e kaluar”.

“Tirana në shesh, në kujtim të viktimave, opozita fiton betejën e saj dhe dominon skenën politike duke nxjerrë në rrugë 100 mijë vetë me një tubim paqësor, kompakt e të qetë”, thotë La Repubblica.

“Frika që policia përdori për të mbjellë makthin e incidenteve të reja, u përgënjeshtrua. Ajo pjesë e vendit e cila prej një viti e gjysmë konteston politikat sociale dhe ato ekonomike të kryeministrit Sali Berisha, u mblodh për disa orë rreth të afërmve të tre viktimave. Berisha, – vazhdon gazeta, – zgjodhi heshtjen dhe e vëzhgoi manifestimin e transmetuar direkt, nga zyra e tij në katin e dytë të ndërtesës së Kryeministrisë”.

“Nuk pati thirrje, reagime zemërimi, as gjeste instiktive që do të kishin provokuar policinë dhe ushtrinë. Me lule dhe qirinj, mijëra shqiptarë marshuan në heshtje për dy orë në Tiranë në nder të tre viktimave të dhunës së të premtes së kaluar”, shkruan Courrier des Balkans.

Manifestimi edhe këtu përshkruhet më shumë si një proçesion funebër, nën sytë e vëmendshëm të qindra policëve që ruanin ndërtesën kryesore të qeverisë.

AFP nënvizon se “kreu i opozitës, Edi Rama premton të tjera manifestime paqësore për fundin e regjimit të Sali Berishës dhe për çeljen e një kapitulli të ri”.

Top Channel