Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se raporti i senatorit zviceran Dick Marty bashkoi më shumë kombin shqiptar.

Gjatë një takimi me banorë të lagjes “Migjeni” në Tetovë, Ahmeti është shprehur se pas publikimit të raportit skandaloz të Marty, ai vetë është vënë në lëvizje duke kontaktuar kolegët shqiptarë në Tiranë e Prishtinë.

“Është më se e vërtetë që na ka shqetësuar shumë publikimi i këtij raporti skandaloz, shpifës dhe i mbushur me të pavërteta. Por ai ka vënë në lëvizje të gjitha subjektet në hapësirat shqiptare. Kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me miqtë tanë në Tiranë, Prishtinë e Shkup, si dhe me miqtë ndërkombëtarë”, ka deklaruar Ahmeti.

Ai ka bërë të ditur se përmes këtyre kontakteve është bërë e mundur hartimi i një strategjie të përbashkët kundër raportit të Marty, “i cili fyen dhe denigron kombin shqiptar”.

Top Channel