Stuhi dëbore në verilindje

28/01/2011 12:25

Në Tropojë, Has, Kukës, Peshkopi, Burrel, Bulqizë dhe në shumë zona të qarkut të Elbasanit, gjatë 24 orëve të fundit ka patur reshje të dendura dëbore, qe kanë krijuar vështirësi serioze në lëvizjen e njerëzve.

Dëborëpastrueset janë në punë gjatë 24 orëve, por numri i vogël i tyre, sasia e pakët e skorjeve dhe kripës për rrugët, si dhe sasia e madhe e reshjeve kanë izoluar prej ditësh komuna të tëra.

Por, edhe mes qyteteve lëvizja është problematike. Bllokimet e rrugës janë bërë të shpeshta. Trashësia e dëborës është rritur mbi 50 centimetra, por për banorët dhe vecanërisht udhëtarët është krijuar një situatë e vështirë për shkak të reshjeve, izolimit dhe stuhive të dëborës.

Vecanërisht në Bulqizë, stuhitë e dëborës janë bërë shumë shqetësuese. Në hyrjen e tunelit të Kalimashit, në autostradën e re, është punuar vazhdimisht për largimin e dëborës dhe kalimi është i hapur, por problematike mbetet lëvizja për shkak të akullit në shtratin e rrugës.

Ndërkohë, raportohet që në Tropojë, Has dhe Kukës janë dhjetra komuna që s’kanë asnjë mundësi komunikimi me pjesën tjetër të vendit. Shkollat kanë pezulluar mësimin.

Bllokime komunash ka edhe në qarkun e Dibrës dhe të Elbasanit, vecanërisht në zonat malore, ku ka një trashësi të madhe dëbore. Probleme me akullin janë shfaqur edhe në disa rrugë nacionale në drejtim të juglindjes dhe vecanërisht në Korcë dhe në Kolonjë.

Top Channel