Homazhi, policia, masa sigurie si më 21 janar

28/01/2011 20:05

Policia e Tiranës edhe pse nuk mori përsipër garantimin e protestës-homazh të opozitës, ditën e sotme ishte në masa të forta sigurie përreth Kryeministrisë.

Kordoni tresh, ishte i përbërë me dy rradhë të forcave të policisë së rendit, të drejtorisë së Tiranës, si edhe grupeve të posaçme të forcave për ruajten e aktiviteteve politike dhe sportive në vend.

Ndërsa në radhën e tretë, përpara kangjellave të Kryeministrisë ndodhën edhe forcat e ndërhyrjes së shpejtë të ardhur nga disa prej qarqeve të vendit, si Fier apo Shkodër, si edhe forcat policore lëvizëse të reparteve të kryeqytetit, por që janë në dispozicion të drejtorisë së përgjithshme të policisë së shtetit.

Brenda rrethimit të Kryeministrisë ndodhën forcat e Gardës së Republikës së Shqipërisë, që marrin nga drejtuesit e tyre, tashmë me urdhër-arresti, instruksionet e fundit vetëm pak minuta, përpara se të fillojë mitingu homazh i opozitës në bulevardin “Dëshmorët e kombit”.

Drejtoria e policisë së qarkut Tiranë, një komunikim për mediat mesditën e së enjtes deklaroi se, nuk merr përsipër ruajtjen e mitingut homazh të opozitës, duke deklaruar se zhvillimi i këtij tubimi përbën rrezik për sigurinë kombëtare, si edhe sigurinë publike.

Megjithatë ajo ka marrë përsipër ruajtjen e selisë së Kryeministrisë.

Top Channel