CEZ: Faturat, nuk kemi adresa të sakta

28/01/2011 08:00

Sistemi i ngatërruar i adresave ka shkaktuar kaosin me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike.

CEZ Shpërndarje deklaron se e ka të pamundur t’i shpërndajë në kohë dhe si duhet të 1 milion faturat në rang vendi, pasi adresat e konsumatorëve nuk janë të sakta dhe shumë të vështira për t’u identifikuar.

Prej tre muajsh, abonentët e CEZ-it janë duke u përballuar me radhët e gjata, mungesë informacioni si duhet dhe me mbifaturime, të gjitha këto të shkaktuara nga mungesa e shpërndarjes së faturave dhe problemeve teknike, të pranuara nga vetë CEZ.

Në lidhje me raportimet e bëra nga disa qytete të vendit për probleme me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike, CEZ Shpërndarja sqaron se për arsye të problemeve teknike që ka deklaruar se ka pasur me sistemin e saj të faturimit, një pjesë e faturave nuk kanë arritur të shpërndahen në kohën e duhur.

“Të gjitha ato fatura që nuk janë shpërndarë për probleme teknike të sistemit tonë të faturimit do të shpërndahen pas dy ditësh (pa llogaritje kamatëvonese)”, thanë për “Shqip” drejtues të kompanisë.

Ndërsa në lidhje me problemet e tjera që kompania ka me shpërndarjen e faturave të energjisë elektrike përmes “AlbaPostës”, apo kompanive të tjera private, CEZ Shpërndarje thotë se përmirësimi i këtij shërbimi është një nga prioritetet kryesore të kompanisë.

Top Channel