Komisioni hetimor “thërret” Topin

27/01/2011 15:30

Komisioni parlamentar që po heton sjelljen e institucioneve shtetërore para, gjatë dhe pas 21 janarit ka shtuar në listën e tij edhe marrjen e informacionit nga presidenti i Republikës.

Ky ishte insitucioni i vetëm që nuk ishte përmendur kur u listuan drejtuesit më të rëndësishëm, që do të thirreshin në seancë dëgjimore nga komisioni. Tani për tani, komisioni ka vlerësuar vetëm marrjen e informacionit prej presidentit.

“Duhen mbledhur informacioni dhe të dhënat paraprake që janë përcjellë tek presidenti i Republikës për organizimin kriminal të 21 janarit. Duhen informacionet që presidenca ka pasur gjatë rrethimit 5 orësh që iu bë kryeministrisë, informacionet para edhe pas rrethimit, si dhe komunikimet me prokurorinë, gardën, SHISH dhe Ministrinë e Brendshme”, deklaroi një prej deputetëve demokratë.

Të njëjtën gjë me shkrim, komisioni e kërkon edhe nga kryeministri Berisha, si dhe disa informaione të tjera nga ministri i Brendshëm dhe Shërbimi Informativ i Ushtrisë.

Nga deputetët demokratë do të kërkohet informacion edhe nga polica bashkiake e Tiranës për rolin që ka kryer ajo gjatë 21 jananrit, si dhe nga disa polici të tjera bashkiake, të cilat sipas deputetëve demokratë e kanë të paligjshme pjesëmarrjen në një tubim politik.

Top Channel