Karburanti, sërish rritje

27/01/2011 21:35

Shoqëritë e hidrokarbureve në vend paralajmërojnë një tjetër rritje të cmimit të karburanteve, duke justifikuar rritjen e deritanishme.

Sipas presidentit të Shoqatës së Hidrokarbureve, Luigj Alia, bursa është vetëm një nga shkaqet e rritjes së cmimit të karburantit në vend, pasi në të ndikojnë pjesa fiskale që qeveria duhet të rishikojë, si dhe shpenzimit e shpërndarjes dhe tregtimit.

“Me rigjallërimin ekonomik pritej një rritje e cmimit dhe qarkullojnë zërat se ai mund të kapë 200 dollarë për fuci. Lëvizja në bursa reflektohet në tregun e shumicës. Për të treguar nëse një cmim është abuzues, duhet bërë me evidencë. Cmimi që është në treg sot është shumë real dhe ka një fitim prej 0.2 përqind”, deklaron Alia.

Alia ngre me shqetësim abuzimin që bëhet nga stacionet e tregtimit me pakicë, të cilët manipulojnë me cilësinë e karburantit dhe anashkalohen nga autoritetet që kontrollojnë tregun.

Nga investigimi ynë në treg, një pikë karburanti ka një cmim më të ulët se të tjerët, me mbi 20 lekë më pak. Shpesh është denoncuar pranë Inspektoriatit të kontrollit të cilësisë së hidrokarbureve, por ai vazhdon punën normalisht.

“Problemi më i madh është se kur ka rritje cmimi është rritja e abuzuesve, që për të rritur fitimet fusin lëndë të ndryshme që nga krudoja e deri tek përbërje të tjera. Ky është problemi, se rritja e cmimit s’është në dorën tonë. Duhen bërë kontrolle në treg”, thotë Alia.

Sipas presidentit të Shoqates së Hidrokarbureve, autoritetet duhet të ndërhyjnë për të rregulluar tregun pasi vetëm në shpërndarjen e stacioneve që tregtojnë karburant tek ne, përllogaritet të tejkalohen mbi 5 herë standaret e vendeve të BE.

Vetëm në autostradën Tiranë-Durrës numërohen 48 pika karburanti, ndërkohë që duhet të ishin vetëm 2 në njërin kah dhe dy në kahun tjetër.

Top Channel