Vlorë, në radhë për faturat e OSSH

26/01/2011 17:25

Dhjetra qytetarë të Vlorës, që në orët e para të ditës zënë radhë për të marrë faturën për pagesën e energjisë elektrike.

Prej më shumë se pesë ditë, zyra pranë OSSH-së në Vlorë është tejet e tejmbushur nga banorë të cilët duan të dinë se sa është fatura për të paguar energjinë elektrike dhe për të marrë këtë faturë.

Prej më shumë se një muaj filiali i Postës së Vlorës nuk po i con më me postë faturat që qytetarët duhet të paguajnë për energjinë elektrike, kështu që ata janë të detyruar që të shkojnë në një nga zyrat e OSSH-së për të marrë një shifër dhe më pas të likuidojnë energjinë.

“Duan faturën, fatura s’na ka ardhur dhe ne rrijmë këtu”, thotë një prej qytetarëve në radhë. “Nuk na i sjellin, pritëm një muaj pastaj dolëm këtu”, shprehet një tjetër.

Punonjëset e filialit të OSSH-së thonë se e kanë të pamundur të përballojnë fluksin. “Ka 3-4 ditë, shkruaj me dorë 500 fatura, që është e pamundur”, thotë një prej tyre.

Situata e krijuar nuk është vetëm në qytetin e Vlorës, por edhe në qytete të tjera. Mosmbërritja e faturave të energjisë ka detyruar konsumatorët që e paguajnë atë të qendrojnë me orë të tëra në radhë.

Top Channel