Terapitë muzikore në Shqipëri

26/01/2011 19:10

Efektet teraupetike dhe kuruese të tingujve muzikorë u vendosën në qendrën e fokusit të emisionit të Pasdites në Top Channel.

Është provuar shkencërisht se tingujt kanë aftësi të zbusin sëmundjet dhe të krijojnë një gjendje më relaksuese të pacientëve. Ajo shpesh herë përdoret si shoqëruese gjatë terapive të ndryshme kurative.

Bajram Lapi, muzikolog dhe pedagog i muzikoterapisë në një nga universitetet private në vend, tregon se kjo lloj terapie është vënë në zbatim prej kohësh jashtë dhe se ka përpjekje për ta bërë këtë dhe në Shqipëri.

”Terapia muzikore është një shkencë që ndërthurret me mjekësinë”, thotë Lapi. “Përderisa është shndërruar në shkencë, kjo do të thotë se ka patur rezultatet e saj, qoftë në Francë apo në Gjermani, ku përdoret efekti Moxart.

Nëpërmjet terapisë muzikore reduktohen dhembjet e të sëmurit, i krijohet atij një gjendje më e rehatshme. Muzika ndikon në gjysmën e trurit të njeriut dhe fjala në gjysmën tjetër, prandaj gërshetohet muzika me fjalë.

Muzika e Moxartit është konsideruar si një ndër efektet e veçanta të terapisë muzikore dhe prandaj ka marrë edhe emrin e efektit Moxart”.

Efekti Moxart pëdoret përgjithësisht për të sëmurët kardiovaskularë. Por, muzikoerapia gjen zbatim veçanërisht me aftësinë e kufizuar mendore, pasi në këtë kategori personash edhe zhvillimi social është më i ulët.

Pëllumb Legisi, terapist prej pesë vitesh, e praktikon këtë metodë pikërisht me këtë kategori personash. Falë kësaj, të rinj me aftësi të kufizuar më dëgjim arrijnë të bëjnë disa ushtrime të dobishme me trupin e tyre.

”Fakti që këta persona janë të paaftë të dëgjojnë ka bërë që të përqendrohemi tek përdorimi i efekteve të rëndësishme të vibrimeve. Ambienti është i përshtatshëm për të bërë këtë, sepse është i shtruar me parket”, shton Legisi.

Muzika që mund të shërbejë për terapinë nuk është e përcaktuar në protokolle. Terapisti, gjatë seances, duhet të gjejë atë çfarë i pëlqen të dëgjojë pacientit të tij.

”Duhet të përshtatesh me mënyrat se si ai ndien muzikën, me mënyrën se si kontraktohet dhe ç’kontraktohet. Bëjmë edhe atë që i japim vetë instrumentat për t’i bërë ata që t’i bien, sepse nuk është e thënë që këtu vetëm unë duhet ta bëj diçka të tillë. Të gjithë mund të luajnë në instrument”.

Megjithatë, muzikoterapia nuk është e aplikueshme vetëm tek njerëzit me probleme, pasi ajo mund të përdoret edhe tek çdokush prej nesh. Përshembull, fëmijët që kanë probleme në lëndët e gjuhës, matematikës, etj, mund të arrijnë përmirësime të rëndësishme nëpërmjet kësaj mënyre.

”Shumë persona marrin si funksionon. Përshembull, ndalemi tek matematika”, thotë Legisi. “Do ta mësojmë të numërojë. Pastaj do ta mësojmë të rrahë duart në katër kohë, pastaj në tre kohë, në dy kohë, do ta mësojmë që më vonë të bëjë mbledhjet dy plus dy baraz me katër.

Si mund të ndihmojë tek historia? Mjafton të marrësh një këngë historike. Një baladë a diçka dhe do të shpjegosh përmbajtjen e mënyrën se si është krijuar ajo. Kështu mund të funksionojë pastaj me çdo lëndë tjetër”, përfundon ai.

FOTO GALERI
1/3

Top Channel