SHBA: Jo dhunë dhe mitingje

26/01/2011 18:45

Zëvendësndihmës sekretari i Shtetit për Europën, Tommas Countryman e quan jetike punën e prokurorisë, si insitucion i pavarur për të kryer një hetim të besueshëm rreth ngjarjeve te 21 janarit.

Ai thotë se zgjedhjet e parakohshme nuk janë një zgjidhje. “Hetimet do të drejtohen nga pala Shqiptare me ndihmën teknike nga SHBA dhe të tjerë në mënyrë që përgjegjësia për dhunën, për vrasjet e së premtes të përcaktohet në mënyrë ligjore, në një formë që përmbush standartet europiane”, deklaron Countryman.

Sipas tij, SHBA e mirëpriti kërkesën e prokurores së përgjithshme për ndihmë, pa dhënë detaje.

“Një hetim i paanshëm, me ndihmë teknike nga jashtë është një prej elementëve kycë për të zgjidhur dilemën e tanishme politike. Dhe përsa kohë palët i përmbahen këtij qëndrimi dhe e lejojnë prokurorinë të bëjë punën, besoj se kjo do të ndohmojë në qetësimin e gjendjes dhe do të sjellë dialogun dhe kompromisin e duhur”, shprehet Countryman.

Ai thotë se u mirëprit vendimi i kryeministrit për të anuluar manifestimin e së shtunës, i planifikuar nga Partia Demokratike, ndërsa e quajti të gabuar atë të kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama, për ta zhvilluar demostratën paqesore.

“Gjendja sot në Shqipëri është tejet e mbingarkuar. Edhe me synimet më të mira javën e kaluar për të zhvilluar një protestë paqësore pati dhunë. Është e vështirë për cdo politikan të premtojë kur planifikohet në një situatë kaq të nxehtë. E di që demonstrata bëhet në kujtim të tre viktimave, por jam i shqetësuar se nëse demonstrata zhvillohet, nëse kalohet në dhunë në vend që të nderoheshin viktimat do të krijohej efekti i kundërt”, nënvizon Countryman.

Sa i takon një kompromisi mes palëve, Countryman thotë se nuk është i pamundur. “Besoj se ndaj me shumicën e shqiptarëve zhgënjimin që politika është personalizuar dhe është bërë e pamoralshme”, thekson Countryman.

Si hapin e ardhshëm në Shqipëri, zyrtari i DASH flet për qetësimin e situatës, që prokuroria të lejohet të bëjë punën, për të gjetur fakte dhe palët të tregojnë angazhim për një fushatë të pastër, të ndershme e transparente për zgjedhjet lokale të majit.

Ai nënvizon se në një vështrim afatgjatë, Shqipëria, si vend anëtar i NATO-s duhet të zgjidhë problemet përmes sistemit të vetë politik dhe jo të mbeshtetet te SHBA apo BE.

Top Channel