Hetimi doganor: Shtohen dosjet ndaj biznesit

26/01/2011 08:00

Rritja e detyrimeve të papaguara ndër vite nga biznesi ndaj doganës ka nxitur grupin hetimor të Drejtorisë së Përgjithshme të ngrejë dosje për rastet e dyshuara me shkelje.

Janë gjithsej rreth 15 milionë dollarë, shkelje të kryera nga biznesi në forma të ndryshme kontrabande, për të cilat strukturat e hetimit doganor janë duke i ndjekur për të mësuar më tej skemën e funksionimit të evazionit.

Në raportin vjetor për 2010-n, paraqitur dje nga drejtori i përgjithshëm i Doganave, Flamur Gjymishka, dolën në dritë fakte të reja rreth nivelit të kontrabandës në vend.

Sipas tij, ka një rritje të numrit të hetimeve ndaj rasteve të dyshuara, si dhe janë krijuar dosje të veçanta, të cilat po ndiqen me kujdes.

Kontrabanda e artikujve të luksit, si cigare, naftë, kafe dhe pije alkoolike, për vite të tëra i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm prej disa miliona dollarësh, ndërsa fenomeni ka shërbyer si pretekst për debatet politike, sidomos vitin e fundit, me naftën virgine, ku akuzohen zyrtarë të lartë të vendit.

“Nga sektori i antikontrabandës janë kryer 817 kontrolle ndaj mjeteve të ngarkuara (me risk), ku nga këto 230 raste dolën me shkelje doganore, me detyrime në vlerë 183 milionë lekë.

Sa i takon hetimit doganor, janë trajtuar për 2010-n, 1128 dosje, nga të cilat 347 rezultuan me shkelje, ku 300 ishin kontrabandë me vlerë 1.3 miliardë lekë”, deklaroi dje kreu i doganave, Gjymishka.

Drejtoria e Përgjithshme ka rritur dozën e kontrolleve ndaj subjekte që konsiderohen me risk, pra të dyshuara, në masën 30 për qind, ndërsa ka një numër më të lartë dosjesh hetimore të trajtuara, rreth 414.

Sipas Gjymishkës, biznesi tenton të kalojë kontrabandë mallra si pije alkoolike, kafe dhe cigare, ndërsa janë identifikuar edhe 42 profile të reja risku.

Problem për administratën doganore vijon të mbetet borxhi tejet i lartë, i krijuar ndër vite nga mospagesa e detyrimeve të biznesit dhe skemat fantazmë të manipulimit të bilanceve.

Vetëm për vitin 2010, është krijuar një borxh doganor në masën e rreth 40 milionë dollarëve, ndërsa totali e kapërcen nivelin e 100 milionë dollarëve.

Për këtë arsye, doganat kanë marrë masa për rikuperimin, qoftë dhe me forcë të këtij borxhi përmes strukturave të hetimit dhe antikontrabandës, si dhe me ndihmën e homologëve në rajon e më tej.

Dogana është duke u përballuar me biznesin edhe në procese gjyqësore, si pasojë e përplasjeve të ndryshme dhe pretendimeve që kanë palët ndaj vendimeve administrative.

Për vitin e kaluar, dogana u përball me biznesin në 515 procese gjyqësore dhe 1400 seanca, ku vetëm 93 çështje u përfunduan, nga të cilat gjysmat i humbi. Pavarësisht rritjes së të ardhurave, kritikat e biznesit ndaj doganës nuk kanë të sosur, kryesisht për përdorimin e referencave doganore, të cilat aplikohen në masën 30 për qind.

Sa u takon të ardhurave, administrata doganore gjatë vitit 2010 arkëtoi 121 miliardë e 28 milionë lekë, nga 106 miliardë e 91 milionë lekë të arkëtuara në vitin 2009, me një rritje prej 14.37 miliardë lekë ose 13.4 për qind, ndërsa në raport me planin, ishte 99 për qind.

Për Gjymishkën, realizimi i planit ishte një sukses më vete, ndërsa kërkoi nga vartësit e tij më shumë punë për këtë vit, duke u fokusuar tek ulja e kontrabandës dhe evazioni fiskal.

Top Channel