Gardistët, tërhiqet Berisha?

26/01/2011 11:45

Në mbledhjen e qeverisë kryeministri Berisha pohoi se ka pasur një kontakt të vazhdueshëm me partnerë ndërkombëtarë për atë që ndodhi më 21 janar.

Ai tha se ka falenderuar ndihmëssekretarin e Shtetit Philip Gordon për gatishmërinë e qeverisë amerikane për të sjellë ekspertë që do të ndihmojnë hetimin.

Kryeministri nuk i kurseu as këtë herë akuzat për Prokurorinë, por nga ana tjetër siguroi se ai do të respektojë institucionet.

“Dëshmoj se ata janë pjesë e ngjarjes së bulevardit, dëshmuan se ata vepruan si një repart i turpshëm. Por natyrisht ju garantoj se ne vendosëm të respektojmë kuadrin institucional të këtij vendi. I them Ina Ramës të vazhdojë hetimin, por se cfarë iu thotë shqiptarëve ajo se nuk ka padi për ata që vunë zjarrin, ajo qoftë. Dje dokumenti është bërë publik, është një akt i hollësishëm padie që përfshin të gjithë organizatorët”, deklaroi Berisha.

Sipas kryeministrit, ky nuk është një atak ndaj prokurorisë, por një akt transparence ndaj publikut.

Po ashtu, kryeministri i kërkoi ministrit të Financave të përcaktojë një fond shpërblimi për cdo dëshmi dhe dëshmitarë që do të dëshmojnë kësaj here jo në prokurori, por në komisionin hetimor parlamentar për ngjarjet e 21 janarit.

“Zoti ministër i Financave, do përcaktosh një fond shpërblimi për cdo dëshmi të vyer dhe dëshmitarë që do paraqiten për pucin, organizimin, financimin, komandën dhe cdo gjë. Informacionet po vijnë, por ato duhet të shpërblehen”, theksoi Berisha.

Top Channel