Chountis: Të hetohen vrasjet

26/01/2011 15:55

Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Nicolaos Chountis ka reaguar për ngjarjet e 21 janarit.

Përmes një komunikate për shtyp ai shpreh ngushëllimet e tij për të vrarët dhe kërkon që sistemi gjyqësor të hetojë urgjentisht dhe pa ndërhyrje rrethanat që shkaktuan vdekjen dhe plagosjen e protestuesve.

“Rrethanat që cuan drejt atyre vdekjeve e plagosjeve duhet të hetohen urgjentisht nga gjyqësori, pa asnjë pengesë apo ndërhyrje dhe përgjegjësitë duhet të caktohen sipas rregullit”, ka deklaruar Chountis.

Në kuadër të manifestimeve të ardhshme, raportuesi për Shqipërinë në PE i bën thirrje qeverisë dhe opozitës për mospërshkallëzim të dhunës dhe gjetjen e një zgjidhjeje politike.

“Situata politike në vend ka qenë në një ngërc prej disa muajsh së fundmi. Represioni dhe dhuna jo vetëm që nuk e zgjidh problemin, por kanë rënduar këtë qorrsokak. Në kuadrin e mobilizimeve të ardhshme, kryeministri Berisha dhe autoritetet shqiptare duhet të respektojnë të drejtën demokratike të qytetarëve për të demonstruar. Qeveria dhe opozita duhet të veprojë me pjekuri politike dhe përgjegjësi. Qeveria dhe opozita duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar përshkallëzimin e dhunës dhe të gjejnë një zgjidhje politike përmes dialogut”, ka porositur Chountis.

Nikolaos Chountis ka kërkuar që palët t’i referohen rezolutës së Parlamentit Europian për t’i dhënë fund amullisë politike në vend.

“Sic është vërejtur në të kaluarën, duke përfshirë dhe në rezolutën e miratuar nga Parlamenti Europian, respekti për demokracinë, zbatimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, transparencë të plotë dhe përpjekje të sinqerta e të gjitha forcave politike janë jo vetëm kushtet e nevojshme për zgjidhjen e kësaj amullie politike kronike, por edhe për adresimin e problemeve të qytetarëve shqiptarë”, ka nënvizuar Chountis.

Ky është reagimi i parë i raportuesit për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Chountis, pas ngjarjeve të së premtes në Tiranë.

Përgatiti: Arta Tozaj

Top Channel