BBC, mbyllet një epokë

26/01/2011 12:35

“Ju flet Londra, po dëgjoni BBC në Shqip”. Këto fjalë që kanë shoqëruar miliona dëgjues që nga rihapja e seksionit të BBC në Shqip nuk do të kenë mundësi t’i dëgjojnë përsëri.

Në kuadër të shkurtimit të shpenzimeve me 16%, shërbimi botëror i BBC-së ka vendosur ndërprerjen e transmentimeve në gjuhën shqipe dhe katër gjuhëve të tjera.

Ndërprerja e transmetimeve është konfirmuar nga një zëdhënëse e BBC.

Arben Manaj njëri prej themeluesve të BBC në Shqip i tha Top Channel se “kjo mbyllje është për të ardhur keq” pasi, sipas tij, “BBC në Shqip ende kishte një rol për të luajtur në informimin në Shqipëri dhe Kosovë dhe se vendimi për mbylljen e seksionit tonë dhe disa seksioneve të tjera për arsye financiare është e mirëkuptueshme për vetë situatën e krizës ekonomike”.

Dy prej drejtuesve të emisioneve kryesore në Top Channel, Sokol Balla dhe Adi Krasta kanë qenw pjesë e BBC në Shqip.

Sokol Balla e ka komentuar mbylljen si një lajm të keq pasi për të BBC ishte shtëpia e tij profesionale për 4 vjet.

“Kam kaluar vite të mrekullueshme dhe ngjarje të mëdha si puçi i shtetit në vitin 98, çlirimi Kosovës në vitin 1999 apo konflikti në Maqedoni. Gjithsesi mendoj se zbehja e rolit dhe influencës në rajon pas viteve 2002-2003 ishte e prekshme edhe falë rritjes profesionale të medias elektronike lokale. Gjithsesi megjithëse dëgjuesit do ta ndjejnë pak mungesën e BBC në Shqip, sigurisht të gjithë do ndjejmë boshllëkun e madh të shqipes në BBC”, ka thënë Balla.

Gjatë viteve të fundit Top Channel ka patur një bashkëpunim të suksesshëm me BBC në Shqip duke organizuar programin “Auditorium” në të gjitha qytetet shqiptare dhe ato kosovare.

Seksioni shqiptarë në BBC për herë të parë ka nisur transmetimet gjatë luftës së dytë botërore si Radio Londra për t’i ndërprerë ato në vitin 1967 pasi Ministria e Jashtme britanike mendonte se kjo radio nuk ishte influencuese për regjimin e Enver Hoxhës.

Përsëri BBC në Shqip do të shpërndante valët në mbrëmjen e 28 shkurtit 1993 duke rifulluar transmetimet pasi gazatari Tim Cook do të ndërtonte një redaksi me gazetarë të përzgjedhur nga Tirana dhe Prishtina.

Paanshmëria dhe influenca e BBC në Shqip nuk do të pëlqehej nga presidenti i atëhershëm Sali Berisha i cili në vitin 1994 një vit pas rihapjes së BBC në Shqip urdhëroi ndërprerjen e transmetimeve në valën e mesme.

E njëjta situatë do të përsëritej në vitin 1997 kur Shqipëria ishte në gjendje të jashtëzakonshme dhe korrespondentët e BBC në Shqip raportonin zhvillimet nga terreni.

Top Channel