“21 janari”, mbërrin eksperti amerikan

26/01/2011 19:55

Pa lënë të rrjedhë shumë kohë nga kërkesa e prokurores së përgjithshme Ina Rama, drejtuar ambasadës amerikane për asistencë teknike mbi hetimin e ngjarjeve të 21 janarit, ka mbërritur në Shqipëri amerikani i parë që do të japë ndihmën e tij për këtë dosje, ndërsa priten edhe dy ekspertë të tjerë.

Specialisti amerikan që ka nisur menjëherë nga dhënia e ndihmës vjen nga FBI, ndërkohë që nuk konfirmohet se nga cilat shërbime do jenë dy ekspertët e tjerë.

Jo zyrtarisht mësohet se eksperti i FBI-së ka kryer takime me prokurorë të cështjes “21 janari”, si dhe në Prokurorinë e Përgjithshme, por gjithcka mbetet në nivel jo zyrtar.

Ndërkohë, në orët e vona Top Channel arriti të filmojë disa nga prokurorët e cështjes se ngjarjeve të 21 janarit, të cilët shfaqen me prokuroren amerikane të Departamentit të Drejtësisë, Cynthia Eldrige, e cila ka një mandat 2-vjecar në Shqipëri si këshilltare për prokurorët e njësisë task forcë.

Një ditë më parë prokurorja e përgjithshme shprehu vendosmërinë e saj për të mos u lëkundur nga hetimet, ndërsa asistencën e amerikanëve e konsideroi si më profesionale dhe më të paanshme.

Top Channel